Vendosni fjalën kyçe....

Laboratori kinez ngarkoi të dhënat e COVID-19 në sistem javë përpara se Pekini të zbulonte të dhënat


Një studiues me bazë në Kinë kishte hartuar tashmë sekuencën e COVID-19 dy javë përpara se qeveria kineze t’i zbulonte botës hollësi të tilla, duke ngritur pikëpyetje rreth informacioneve të tjera të rëndësishme për pandeminë që Pekini mund të ketë fshehur.

Dokumentet e lëshuara nga Komiteti i Energjisë dhe Tregtisë i Kongresit zbulojnë se Ren Lili, një përfituese grantesh federale të SHBA-së përmes grupit kërkimor jofitimprurës të Nju Jorkut ‘EcoHealth Alliance’, ngarkoi të dhënat e sekuencës së COVID-19 në një bazë të dhënash gjenetike të qeverisë amerikane më 28 dhjetor 2019.

Në atë kohë, autoritetet kineze ende e quanin sëmundjen një pneumoni të panjohur dhe urdhëruan punonjësit e shëndetësisë që të mos përhapnin asnjë informacion rreth saj me kërcënimin se do ndëshkoheshin.

Vetëm më 12 janar – më shumë se dy javë më vonë – Pekini ndau përbërjen gjenetike me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. U deshën edhe dy ditë përpara se qeveria kineze të pranonte se sëmundja mund të përhapej nga njeriu te njeriu.

Depoja e GenBank e Institutit Kombëtar të Shëndetit (NIH), e cila mori të dhënat nga Ren, njoftoi virologun kinez se paraqitja ishte “e paplotë” dhe “i mungonte informacioni i nevojshëm për publikim”, tha Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të Kongresit në një letër.

Pas një procesi rishikimi cilësor që kontrollon hollësitë  teknike, GenBank kërkoi informacion shtesë nga Ren, e cila punon në Institutin shtetëror të Biologjisë Patogjene, por nuk u përgjigj kurrë, gjë që çoi në heqjen e sekuencës nga baza e të dhënave në 16 janar 2020.

Gjatë kësaj periudhe, GenBank mori një sekuencë gjenetike pothuajse identike të COVID-19 nga një dërgues tjetër, të cilin e publikoi më 12 janar 2020, sipas letrës që Komiteti i Energjisë dhe Tregtisë publikoi më 17 janar 2024.

Në kontrast me këmbënguljen e Kinës se ka qenë transparent për çështjen e origjinës së COVID-19, informacioni i zbuluar rishtazi sugjeron ndryshe, thanë republikanët e Komitetit.

“Ky zbulim domethënës nënvizon më tej pse ne nuk mund t’i besojmë asnjë prej të ashtuquajturave ‘fakte’ ose të dhëna të ofruara nga Partia Komuniste Kineze dhe vë në pikëpyetje serioze legjitimitetin e çdo teorie shkencore të bazuar në një informacion të tillë,” thanë kryetarja e komitetit McMorris Rodgers, Kryetari i Nënkomitetit për Shëndetësinë, Brett Guthrie dhe kryetari i Nënkomitetit për Mbikëqyrjen dhe Hetimet, Morgan Griffith në një deklaratë të përbashkët.

“Populli amerikan meriton të dijë të vërtetën për origjinën e SARS-CoV-2 dhe hetimi ynë ka zbuluar shkaqe të shumta shqetësimi, duke përfshirë mënyrën se si shpenzohen dollarët e taksapaguesve, si funksionojnë agjencitë e shëndetit publik të qeverisë sonë dhe nevojën për më shumë mbikëqyrjen e granteve kërkimore për shkencëtarët e huaj.”

Mike Gallagher, kryetar i Komitetit të Përzgjedhur të Kongresit, vlerësoi komitetin e Kongresit për gjetjet dhe kritikoi administratën e Biden për “mungesë interesi për të kuptuar faktet themelore se si filloi kjo pandemi”. Raporti i deklasifikuar i origjinës së COVID, i detyruar nga një ligj i vitit 2023, “errësoi më shumë se sa ndriçoi” dhe Komiteti i Energjisë dhe Tregtisë mori informacion vetëm pas thirrjes kërcënuese, vuri në dukje ai.

Të dhënat e gjenomit të virusit që Lili Ren paraqiti, lloji më i hershëm i njohur deri më tani, duket se kanë ardhur nga një bartës kinez 65-vjeçar, i cili u shtrua në spital me temperaturë të lartë dhe kollë më 18 dhjetor dhe u sëmur rëndë katër ditë më vonë. .

Një mikrobloger kinez tha se firma e tyre private në qytetin jugor kinez Guangzhou kishte analizuar mostrat e virusit më 26 dhjetor 2019. Duke i konsideruar gjetjet shumë të ndjeshme, kompania e tyre vendosi të mos i bënte ato publike dhe ndau gjetjet me institutin e Ren një ditë pasi ata grumbulluan një “sekuencë gjenetike pothuajse të plotë”.

“Për sa i përket mënyrës se si unë e shoh gjithë këtë incident, mbi të gjitha është zhgënjimi, dhimbja dhe zemërimi. Kishim qenë kaq në kohë për këtë, si nuk është ende nën kontroll?” personi shkroi në mediat sociale kineze.

“Kjo ka të bëjë më pak me shkencën ose teknologjinë, dhe më shumë me politikën dhe median.”

Një raport i mediave kineze që citonte incidentin është fshirë.

Ren ka udhëhequr zbulimin e disa viruseve të shfaqura në Kinë, duke përfshirë nënvariantin e rinovirusit njerëzor A21, dhe si shumë studiues të tjerë të shquar të virologjisë kineze, ka dalë në mbrojtje të qeverisë kineze për çështjen e origjinës së virusit.

Në korrespondencën e shtatorit 2021, botuar tani në revistën mjekësore Lancet, Ren dhe dhjetëra studiues të tjerë mjekësorë kinezë hodhën poshtë mundësitë që virusi të kishte rrjedhur nga Instituti i Virologjisë në Wuhan – një tjetër përfitues odesh federale amerikane nga EcoHealth që kishte qenë për vite me radhë duke punuar në koronaviruset e rrezikshëm të lakuriqëve – duke kërkuar në vend të kësaj që origjina e COVID-19 do të “hetohej më së miri në mbarë botën”.

Mediat kineze kanë lavdëruar rolin e saj në izolimin dhe sintetizimin e gjenomit të virusit, duke përmendur deklaratat miratuese nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Puna e Ren u njoh nga Akademia Kineze e Shkencave Mjekësore – instituti më i lartë shtetëror kinez i kërkimit mjekësor me të cilin qendra e saj kërkimore është e lidhur – si një nga 40 “zhvillimet kryesore kombëtare mjekësore të vitit”.

Shqyrtimi është rritur mbi mundësinë e rrjedhjes së laboratorit.

Dr. Francis Collins, drejtor i NIH deri në fund të vitit 2021, tha në dëshminë e fundit të Kongresit me dyer të mbyllura se teoria se COVID-19 mund të kishte dalë nga një laborator në Wuhan “nuk është një teori konspirative”.

Ish-kreu i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive Dr. Anthony Fauci bëri një deklaratë të ngjashme kur u mor në pyetje ditë më parë nga i njëjti panel i Kongresit që hetonte pandeminë COVID.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Epoch Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani