Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka denoncuar qeverinë për rritjen e kostos së jetesës së shqiptarëve.
Në një deklaratë nga selia e partisë, ai theksoi se rritja e ushqimeve të shportës e ka vështirësuar jashtë mase jetën e shqiptarëve dhe i ka varfëruar më shumë ata.
“Kosto e jetesës në Shqipëri, në vendin më të varfër të rajonit, vazhdon të rritet çdo ditë. Çmimet e ushqimeve të shportës, pra produktet bazike të konsumit dhe jo vetëm, janë shumë më të larta krahasuar, jo vetëm me fqinjët, por edhe me vendet e Bashkimit Europian. Ndonëse pagat dhe pensionet në vendin tonë janë disa herë më të ulta. Vetëm në muajin dhjetor produktet ushqimore u rritën me 6.7%, duke i rënduar edhe më shumë kostot familjare, veçanërisht të shtresave më në nevojë dhe të atyre që mbijetojnë me ndihmë ekonomike. Shqetësues është fakti që brenda grupit të ushqimeve, çmimet e zarzavateve janë rritur me nivele dyshifrore në 20,8 %, ndjekur nga frutat me 10,9 %, qumështi, djathi dhe vezët me 6,7 %, mishi me 5,5 % etj. Rritja e çmimeve në këto nivele nuk ka shqetësuar Qeverinë e cila nuk ka marrë asnjë masë zbutëse ndaj rritjes së kostos së jetesës te grupet sociale më të prekura, si pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike apo grupet e tjera shoqërore në nevojë.” – tha Meta.
Ai ceku rritjen e çmimeve të disa mallrave jetike të rritura duke i krahasuar me ato në Maqedoninë e Veriut.
“Për të kuptuar se sa shqiptarët zhvaten çdo ditë nga Qeveria dhe oligarkët e saj, që kanë monopolizuar çdo sektor, po sjell një krahasim të thjeshtë të disa çmime produktesh në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut:
Çmimi i karburantit në Shqipëri është 41% më i shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut dhe pse ne jemi një vend prodhues nafte.
Çmimet e zarzavateve janë 25-30% më shtrenjtë, ndërsa të frutave 40-50% më shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut.
Çmimi i mishit është në Shqipëri 10% më i shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut.
Çmimi i vezëve në Shqipëri është 56% më i shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut.” – shtoi Meta.