Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu kundërshton çdo skenar për një shtet palestinez pas luftës


Kryeministri Benjamin Netanyahu hodhi poshtë të enjten thirrjet e Shteteve të Bashkuara për të zvogëluar ofensivën ushtarake izraelite në Rripin e Gazës ndërsa u shpreh kundër ndërmarrjes së hapave drejt krijimit të një shteti palestinez pas luftës, veprime që shkaktuan reagime të ashpra nga Shtëpia e Bardhë.

Shkëmbimet e tensionuara reflektojnë dallimet e dukshme mes dy vendeve aleate lidhur me luftën e Izraelit dhe planet për të ardhmen e territorit palestinez.

“Padyshim e shohim ndryshe situatën”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Komenti i Kryeministrit Netanyahu vjen një ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Izraeli nuk do të kishte kurrë “siguri të vërtetë” pa një rrugë për pavarësinë e palestinezëve.

Në fillim të kësaj jave, Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se ishte “momenti i duhur” që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës ushtarake shkatërruese në Gazë.

Në një konferencë shtypi, të transmetuar nga televizionet në të gjithë vendin, zoti Netanyahu foli me një ton sfidues, duke thënë vazhdimisht se Izraeli nuk do ta ndalojë ofensivën derisa të realizojë qëllimet e tij për ta shkatërruar grupin militant Hamas në Gazë dhe për të sjellë në shtëpi të gjitha pengjet e mbetura të mbajtura nga grupi terrorist.

Ai hodhi poshtë pretendimet në rritje të kritikëve izraelitë se këto synime nuk janë të arritshme, duke u zotuar se do ta vazhdojë betejën për shumë muaj. “Ne nuk pranojmë asgjë përveç një fitore absolute”, tha zoti Netanyahu.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Autoriteti Palestinez, i njohur ndërkombëtarisht i cili qeveris zonat gjysmë-autonome në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, duhet të “rigjallërohet” dhe të kthehet në Gaza. Hamasi e mundi Autoriteti Palestinez në Gaza në vitin 2007 dhe ka qeverisur territorin që nga ajo kohë.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje gjithashtu për hapa drejt krijimit të një shteti palestinez. Palestinezët kërkojnë Gazën, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor për të formuar shtetin e tyre. Këto zona u pushtuan nga Izraeli në vitin 1967.

Gjatë një fjalimi të mërkurën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Sekretari Blinken tha se zgjidhja me dy shtete ishte mënyra më e mirë për të mbrojtur Izraelin, për të bashkuar vendet e moderuara arabe dhe për të izoluar armikun kryesor të Izraelit, Iranin. Pa një “rrugë drejt një shteti palestinez“, tha ai, Izraeli “nuk do të ketë siguri të vërtetë”./VOA