Vendosni fjalën kyçe....

Paradite në sallën e gjyqit, në mbrëmje takim me mbështetësit, fushata e pazakontë e Trump-it


Programi i Donald Trump përmbledh natyrën e paprecedentë të zgjedhjeve të këtij viti. Para pak ditësh Trump e kaloi ditën në gjykatë duke luftuar një çështje shpifjeje dhe në mbrëmje mblodhi mbështetësit në përpjekjen e tij për t’u bërë presidenti i ardhshëm i SHBA-së.

Kështu ish-presidenti, kandidati kryesor për nominimin republikan në 2024 dhe i pandehuri më i famshëm në botë, ka zgjedhur të ndajë kohën e tij këtë javë ndërsa ndjek rikthimin e tij politik.

Trump nuk ishte i detyruar të ishte në sallën e gjyqit federal në Manhatan, ku një gjykatës e paralajmëroi se mund të dëbohej. Paraqitjet e tij për çështjen gjyqësore civile janë tërësisht vullnetare.

Nga atje, ai planifikoi të kalonte mbrëmjen e së mërkurës në New Hampshire përpara zgjedhjeve presidenciale republikane të shtetit javën e ardhshme.

Është një strategji e pazakontë për një gjendje të jashtëzakonshme: një kandidat i rëndësishëm presidencial që përpiqet të fitojë Shtëpinë e Bardhë ndërsa përballet me një grumbull akuzash penale federale dhe shtetërore, si dhe me gjyqin civil për shpifje dhe një gjyq për mashtrim civil.

Por Trump dhe fushata e tij janë shumë të vetëdijshëm për publicitetin dhe simpatinë që paraqitjet e tij në gjykatë mund të sjellin në bazën e tij besnike të mbështetësve, ndërsa ai përpiqet të shmangë sfidat nga rivalët republikanë Nikki Haley dhe Ron DeSantis.

“Askush tjetër nuk mund ta përballojë këtë katrahurë,” u tha Trump qindra njerëzve që ishin rreshtuar jashtë një klubi në Atkinson, New Hampshire, të martën mbrëma për ta parë atë.

Turma shpërtheu në duartrokitje të vazhdueshme.

Trump përballet me dhjetëra akuza federale dhe shtetërore në lidhje me përpjekjet për të minuar zgjedhjet e vitit 2020, si dhe një ndjekje penale federale për keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara.

Ai ka mohuar çdo shkelje dhe është vetëdeklaruar i pafajshëm për akuzat penale, duke pretenduar se rastet janë të motivuara politikisht. Departamenti i Drejtësisë nga  ana e tij thotë se vepron pa paragjykime politike.

Çështja federale që Trump merr pjesë këtë javë është një çështje civile, faza e dëmshpërblimit të gjyqit të shpifjes për shkrimtaren E. Jean Carroll, e cila pretendon se Trump shkatërroi reputacionin e saj dhe duhet të paguajë miliona dollarë dëmshpërblim për mohimin se e kishte përdhunuar në vitin 2019, gati një çerek shekulli më parë.

Një ditë pas një fitoreje të rëndësishme në Iowa të hënën, ku ai mundi rivalët DeSantis dhe Haley me rreth 30 pikë përqindje në grupin e parë të primareve në vend, Trump mund të kishte bërë një xhiro fitoreje rreth New Hampshire. Në vend të kësaj, ai zuri një vend në sallën e gjyqit të Nju Jorkut për të vëzhguar përzgjedhjen e jurisë në rastin e shpifjes.

Ai nuk u largua nga ndërtesa e gjykatës federale në Manhatanin e poshtëm deri në mesditë, duke postuar në platformën e tij “Truth Social” se duhej të ishte në New Hampshire, por “duhej të kalonte kohë në një gjykatë federale me një gjykatës të majtë radikal që urrente Trump-in”.

Mbështetësit e tij, ndërkohë, pritën për orë të tëra në shtetin e New Hampshire të goditur nga stuhia pasi avioni i Trump u vonua nga moti.

“Na ngrinë prapanicat duke u përpjekur të hyjmë këtu!” tha Phil Caron, 81 vjeç, i cili kishte ardhur nga Massachusetts-i fqinj.

Ishte ngjarja e parë e Trump për Cat Wiggins, 51 vjeç, nga Hampton, New Hampshire. Ajo nuk e kishte problem të priste.

“Jam plotësisht e emocionuar,” tha ajo, duke shtuar se ishte në anën e Trump në lidhje me problemet e tij ligjore. Ajo tha se zgjedhjet e vitit 2020, të cilat demokrati Joe Biden fitoi, ishin “të vjedhura”.

Trump doli në skenë me dy orë vonesë, duke e mahnitur turmën e duke treguar se sa e vështirë ishte për të arritur atje. Fluturimi i tij ishte i rrezikshëm, tha ai, dhe piloti e kishte kërkuar që të mos shkonte mes borës së madhe dhe erërave të forta.

“Kjo ishte pak e vështirë sonte,” tha ai dhe më pas sugjeroi se mund të mos kishte arritur fare në mitingun e tij.

Gjyqi për shpifjen e E. Jean Carroll do zgjasë të paktën deri në javën e ardhshme, me Trumpin që synon të kalojë mes Nju Jorkut dhe New Hampshire ndërsa ai bën fushatë përpara zgjedhjeve paraprake të martën.

Gjyqi federal i Trump në Uashington lidhur me akuzat zgjedhore është planifikuar të fillojë më 4 mars, një ditë përpara Super të Martës, kur 16 shtete dhe një territor i SHBA-së mbajnë gara për nominimin e republikanëve.

Një rast i shtetit të Nju Jorkut në të cilin Trump akuzohet në lidhje me pagesat e parave për një yll porno vjen në fund të marsit. Gjyqi federal i dokumenteve të klasifikuara në Miami është planifikuar për në maj.

Trump synon që deri atëherë të përfundojë nominimi republikan. Ai pritet të përballet me një sfidë më të madhe nga Haley në New Hampshire, me përzierjen e votuesve të moderuar dhe të pavarur, sesa ai në Iowa. Por ai mbetet favoriti në zgjedhjet paraprake republikane që do të vijnë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters