Vendosni fjalën kyçe....

Reforma Zgjedhore, Bardhi: Kemi gati propozimet tona, s’mund të përfaqësohemi në komision nga kolegë që nuk e kanë besimin tonë


Gazment Bardhi pas bllokimit të mbledhjes për Komisionin e Reformës Zgjedhore, tha për mediat se grupi i deputetëve të tij dhe të Rithemelimit, nuk pranojnë përfaqësimin e tyre nga Alibeaj.

Ai tha se i kanë gati propozimet për Reformën Zgjedhore por theksoi se më parë duhet që t’i kthehet legjitimiteti komisionit. 

“I kemi gati propozimet tona për Reformën Zgjedhore por duhet që fillimisht t’i rikthehet legjitimiteti këtij komisioni. Unë nuk mund të përfaqësohem në komision nga kolegë që nuk e kanë besimin tim. Ata mund të jenë përfaqësues të asaj pjese që kanë besim tek ata, por sa kohë nuk kanë shumicën dërrmuese, bëhet fjalë për 7 deputetë përballë 50 deputetëve. Na thuhet se këta 7 deputetë do kenë mundësi të vetos dhe bashkëkryetarit. Kjo është e papranueshme, mungesë e thellë e legjitimitetit. Kuvendi duhet t’i kthejë legjitimitetin komisionit të Reformës Zgjedhore. Bëjmë sikur mblidhemi për caktimin e agjendës dhe më pas e lëmë në harresë”- tha Bardhi.