Kreu i Partisë së Lirisë Meta tha sot se zhvlerësimii Euros ka sjellë një problematikë të madhe për ekonominë shqiptare, sidomos për bizneset eksportuese si dhe familjet që ndihmohen me të ardhura nga familjarët e tyre që jetojnë e punojnë në Evropë.
“Zhvlerësimi i Euros vijon të mbetet një problematikë madhore për ekonominë shqiptare, kryesisht për bizneset eksportuese, por edhe për të gjithë ato familje dhe individë, të cilët të ardhurat i kanë në euro dhe kryesisht nga remitancat. Gjatë vitit 2023, eksportet ranë në 9.5%, një tkurrje më e madhe se sa dhe pandemia për shkak të zhvlerësimit të euros. Sipas Konfindustrisë rrezikohen të mbyllen 40 mije vende pune dhe 740 biznese. 3000 vende pune janë mbyllur që nga 4 Janari, një sinjal i fortë alarmi për veshin e shurdhër të qeverisë.” – tha Meta.
Në deklaratën e tij për gazetarët, Meta, tha se pastrimi i parave të krimit të organizuar të trafikut të drogës po bëhet përmes ndërtimeve të shumta në vend.
“Në fakt shpjegimi i vetëm dhe i qartë është nxitja dhe përfshirja e vetë Qeverisë në procesin e pastrimit të parave të pista të krimit dhe korrupsionit, siç konstatohet lehtësisht në Tiranë ku vazhdojnë të jepen me dhjetëra leje ndërtimi për kulla shumëkateshe, që nuk banohen nga askush. Po aq shqetësues mbetet parashikimi i FMN-së, për një rrezik të përmbysjes të menjëhershme të vlerës së EUROS, duke rrezikuar stabilitetin e brishtë ekonomik të vendit. Sektori i ndërtimit është sektori i preferuar i pastrimit të parave të pista të krimit dhe të korrupsionit dhe kjo u konfirmua edhe nga investigimi më i fundit në media sipas të cilit në Tiranë janë mbi 51.000 apartamente të pabanuara, ndërkohë që çmimet për m2 dhe kullat shtohen vlme ritme të jashtëzakonshme.” – shtoi kreu i Partisë së Lirisë.
Në fund Meta bëri thirrje për frenimin e shpopullimit që ka prekur Shqipërinë duke bërë përgjegjës për këtë kryeministrin Rama e qeverisjen e tij. Ai tha se vendi nuk ka kohë për të humbur e duhet të bëhet çmos për t’u frenuar largimi i të rinjve.
“Shpopullimi vijon të mbetet një nga plagët më të mëdha nga “Rilindja” dhe qeveria Rama i ka shkaktuar vendit dhe një nga arsyet pse ende po mbahen të fshehta rezultatet e Censusit. Rritja e niveleve të migracionit të të rinjve, e kombinuar me plakjen e popullsisë, pritet të thellojë krizën demografike dhe po dikton rritjen e mëtejshme të moshës së daljes në pension. Frenimi i emigracionit duhet të jetë një nga objektivat kryesorë të politikave ekonomike dhe sociale, nëpërmjet tërheqjes së më shumë Investimeve të huaja direkte. Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. Po dëmtohet e ardhmja e gjithë kombit dhe ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të frenuar largimin e shqiptarëve dhe të rinjve. Sepse të rinjtë e Shqipërisë meritojnë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.” – mbylli deklaratën Meta.