Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas arrestimit të 35-vjeçarit në Maminas, i cili u vu në pranga pas dhunës së ushtruar ndaj babait të tij.
Balla ka nxjerrë pamjet e të riut, i cili ndodhet në oborrin e shtëpisë me sëpatë në dorë, ndërsa policia dëgjohet ti thotë: “Ule sëpatën o çun”.
“Parandalimi apo reagimi në kohë nga Policia e Shtetit në rastet e dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore apo ndaj të miturve, janë detyra të cilat duhet të ndiqen me vëmendje maksimale në të gjithë territorin. Përgëzoj forcat e RENEA të cilët ndërhynë në kohë në rastin kërcënimit dhe dhunimit të një të moshuari, duke arrestuar dhunuesin”, shkruan Balla.
Njoftimi i policise:
Ushtroi dhunë ndaj babait dhe e kërcënoi se do ta vriste me mjete prerëse (sopatë dhe thikë), ndërhyrja e forcave të Policisë parandaloi ngjarjen.
35-vjeçari kundërshtoi me dhunë forcat e Komisariatit të Policisë dhe u mbyll në banesë.
Ndërhyrja e RENEA-s vuri në pranga 35-vjeçarin.
Shërbimet e Policisë morën njoftim se në fshatin Rubjek, Maminas, një shtetas po dhunohej dhe po kërcënohej me mjete prerëse (sopatë dhe thikë), nga djali i tij.
Pas informacionit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresen e dhënë ku kanë bërë të mundur parandalimin e dhunës dhe kanë nxjerrë nga banesa shtetasin e dhunuar.
Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e 35-vjeçarit që ushtronte dhunë ndaj babait të tij, ai ka kundërshtuar me dhunë shërbimet e Policisë lokale dhe është mbyllur në banesë, bashkë me mjetet prerëse.
Ndodhur në këto kushte, në ndihmë të Policisë kanë shkuar Forcat e RENEA-s.
Pas disa orësh negociata, Forcat RENEA kanë ndërhyrë me forcë në banesë, duke bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të shtetasit E. H., 35 vjeç, banues në Rubjek.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë sekuestruan mjetet prerëse (sopatë dhe thikë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.