Vendosni fjalën kyçe....

Fushë Arrëzi shpall gjendjen e jashtëzakonshme, bllokohen 12 fshatra


Bashkia Fushë Arrëz ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të kushteve të rënduara atmosferike që kanë përfshirë këtë njësi administrative.

Kryetari i bashkisë Hil Curri në një lidhje telefonike për Report TV deklaroi se janë 12 fshatra të bllokuar me shumë prej të cilëve kanë humbur dhe komunikimin për shkak se është ndërprerë dhe energjia elektrike.

“Shtabi është i shpërndarë. Është e pamundshme lidhja me fshatrat dhe njësitë administrative. Fshatrat Iballë, Berishë e Madhe, Galisht… 12 fshatra janë totalisht të bllokuar. Deri në qendër të Iballës kemi munduar të çojmë mjete. Mjetet e pastrimit në Iballë janë bllokuar nga reshjet e borës. E pamundur dhe lidhja me fshatrat me anë të telefonit. Ndërhyrja me helikopter është e pamundur. Situata është tejet e jashtëzakonshme. Në dhjetë vitet e fundit ky vit është më i vështirë për bashkinë e Fushë Arrëzit. Vështirësia bëhet çdo ditë e më shumë më problematike.  Kemi kërkuar pjesën e ndihmës me anë të mjeteve dhe pastaj për ti furnizuar me ushqime disa fshatra.”

“Me një pjesë të fshatrave është shumë e vështirë sepse ka 24 orë që është ndërprere energjia elektrike dhe është e pamundur komunikimi, ata nuk kanë me çfarë të komunikojnë. Mungon edhe energjia elektrike në ata fshatra. Janë shumë të pakta informacionet. Çdo minutë e më shumë janë duke u pakësuar informacionet për fshatrat e bllokuara. Lutem për qytetarët e mi”, tha Curri

“Jam në pritje i kam kërkuar shtabit të përgjithshëm të emergjencës civile të më pajisë me mjete. Deri tani nuk kemi asnjë konfirmim. Situata është shumë e vështirë por me shpresë që do ia dalim. Ndërprerja e energjisë dhe bllokimi i rrugëve të dyja përnjëherë e kanë bërë të vështirë qarkullojnë”-tha Curri.