Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali i reagon opozitës: PS nuk është as në ballkon as në ranishte


Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i është përgjigjur zërave nga opozita se Partia Socialiste është alarmuar nga SPAK dhe po thurr planin për të minuar punën e tij.

Spiropali në një reagim thotë se akuzat janë të pavërteta dhe nuk ja vlen të konsiderohen.

Sipas saj puna e socialistëve është garantimi që progresi i arritur të mos zhbëhet, të modernizohet çdo allkë e organeve të shtetit si dhe të rritet kapitali njerëzor i administratës publike.

Reagimi i plotë:

Një tym ka nisur nga poshtë ballkonit të rrugicës mbrapa Piramidës dhe është përhapur nëpër mexhelis me mllefin e zellshëm kundër Edi Ramës dhe PS, për t’u hedhur shqiptarëve në sy hirin e një plani djallëzor “të socialistëve të alarmuar kundër Spakut”!

Kjo është nga ato të pavërtetat që janë aq qesharake sa nuk ia vlen t’i konsiderosh. Por, vlen sot për t’i këshilluar të gjithë të interesuarve t’i kthehen fjalës së kryeministrit në Kongresin e 8 dhjetorit. Aty do t’i gjejnë edhe nga nisen planet që po bëjnë socialistët, për të cilat drejtuesit politikë, kabineti qeveritar dhe drejtuesit e komisioneve të Kuvendit, u mblodhën dy ditë në Lezhë.

Tre janë drejtimet e punës dhe planeve tona “djallëzore” për sa më lart:

1) Garantimi i pakthyeshmërisë së progresit të bërë deri këtu;

2) Modernizimi i çdo gjymtyre e organi të shtetit;

3) Rritja e kapitalit njerëzor të administratës publike.

Thënë sa më lart, Reforma në Drejtësi është flamuri i të gjitha reformave tona, i cili jo nuk preket, po vetëm do të lartësohet me mbështetjen tonë të palëkundur dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë strategjikë. Ndërsa Spaku sot është një ndër arsyet e krenarisë sonë për atë flamur, i cili nuk do të ishte ngritur kurrë në këtë vend, pa Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.

Partia Socialiste nuk është as në ballkon, as në ranishte, po në krye të një lufte që vazhdon, për drejtësinë deri në fund, për Shqipërinë 2030.

Të tjerat janë tym nga ballkoni mbi rrugicë, thashetheme nga ranishtja në gji të Lalzit dhe jerm nga ëndërrzgjëndra e Lulit.

Fundjave të mbarë.