Vendosni fjalën kyçe....

U gjet e ngordhur në dëborë, gjigandi hekurudhor rus RZhD kërkon falje për macen që u hodh nga treni


Gjigandi hekurudhor i Rusisë RZhD u ka kërkuar falje pronarëve të një maceje që ngordhi pasi u hodh nga treni i kompanisë nga një konduktor në temperatura të ulta.

“Na vjen keq sinqerisht që macja Twix vdiq”, tha RZhD shtetërore, duke u zotuar të ndryshojë rregulloret e saj.

Pamjet u shfaqën më herët duke treguar me sa duket macen e bardhë  duke e hedhur në dëborë në qytetin qendror Kirov më 11 janar.

Drejtuesi i trenit raportohet se e ka ngatërruar macen mashkull me një endacak.

Kjo ndodhi pasi macja u arratis nga arka e saj e udhëtimit dhe u pikas nga pasagjerët që ecnin përgjatë një karroce.

Kur episodi doli në dritë, qindra vullnetarë filluan të kontrollonin zonën e stacionit hekurudhor në Kirov.

Macja përfundimisht u gjet e ngordhur të shtunën, dhe më vonë u identifikua nga pronarët e saj.

Disa raporte thonë se Twix vdiq nga një pickim kafshe dhe ngrirje.

Zona të gjera të Rusisë u goditën nga një periudhë e ftohtë në atë kohë, me temperatura deri në -30C të raportuara në Kirov.

Gati 70,000 njerëz kanë nënshkruar tani një peticion duke bërë thirrje për hapjen e një hetimi penal kundër drejtueses, pasi autoritetet lokale refuzuan ta bëjnë këtë, përcjell BBC.

Një peticion i veçantë – i nënshkruar nga më shumë se 2000,000 – kërkon shkarkimin e saj, e cila nuk është identifikuar publikisht.

Një nga pronarët e Twix tha për mediat shtetërore se kishte ndërmend ta ndiqte çështjen përmes gjykatave.

Mijëra njerëz në të gjithë Rusinë po ndiqnin zhvillimet në një kanal të mediave sociale të krijuar posaçërisht.

Një përdorues dërgoi një foto të Twix me krahët e engjëllit dhe aureolën mbi kokë.

Të shtunën, RZhD tha se tashmë po zbatonte ndryshime që do të ndalonin konduktorët e kompanisë të “zbrisnin kafshët nga trenat”.

Në vend të kësaj, shtoi kompania, ato do t’u dorëzoheshin punonjësve në stacionet hekurudhore dhe do të thirreshin grupet për mbrojtjen e kafshëve.