Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 104-vjetorit të Kongresi të Lushnjës.
Balla u shpreh se Kongresi i Lushnjës është momenti më i rëndësishëm historik, pas shpalljes së Pavarësisë, ndërsa shtoi se ky vend e bëri shtetin shqiptar me Kushtetutë, me Parlament, me organe kushtetuese dhe të së drejtës.
Fjala e ministrit Balla:
Kongresi i Lushnjë është momenti më i rëndësishëm historik, pas shpalljes së Pavarësisë, pra nëse në Vlorë në 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia, shteti shqiptar e ka themelin në Lushnjë, në gjithë fizionominë e vetë. Lushnja e bëri shtetin shqiptar me Kushtetutë, me Parlament, me organe kushtetuese dhe të së drejtës. Nga Lushnja, qeveria e vendosur këtu mori më pas vendimin, edhe për shkak të rrethanave që lidheshin me qeverinë e rrëzuar të Durrësit, për të shkuar e për t’u vendosur përfundimisht në Tiranë, aty ku mori udhë funksionimi i shtetit shqiptar.
E kam thënë e do vijoj ta them, më shumë se kaq bashkë me kolegët deputetë, autoritetet vendore jo vetëm të Lushnjës, por besoj të gjithë Shqipërisë na takon ta ngremë shumë më lart atë që përfaqëson Kongresi i Lushnjës. Kongresi zgjati rreth 10 ditë, filloi në 21 dhe mbaroi në 31 janar, dhe na duhet ta lartësojmë këtë moment historik. Në fakt këtë mesazh bashkimi që solli ky Kongres.
Por të mos harrojmë edhe arsyet pse u zgjodh Lushnja dhe merita e veçantë që kanë familjet e mëdha lushnjare, që u dhanë garancinë 50 delegatëve nga e gjithë Shqipëria, që në Lushnjë do të zhvillohej ky Kongres.
Kishte përpjekje për të penguar delegatët për të mbërritur, e madje delegati i Durrësit, Prefekti Ypi humbi jetën përpara se të mbërrinte në Kongresin pasi ata që nuk ja donin të mirën e Shqipërisë nuk lejonin të vinin delegatët. Sot u shprehim dhe një falënderim gjithë familjeve lushnjare dhe gjithë popullit të Lushnjës, që në fakt gjithmonë ka treguar se është popull liridashës, i cili jo vetëm mbështeti krijimin real të shtetit shqiptar, por gjithmonë ka qenë popull paqedashës dhe atdhetar.
Në këtë aspekt, na takon të gjithë bashkë pa asnjë dallim të majtë të djathtë, siç u bashkuan, sepse prej Kongresit të Lushnjës dhe prej diskutimeve e prej formatimit të ri institucional dhe kushtetues, mori jetë dhe demokracia në Shqipëri. Prej këtij Kongresi, morën jetën dhe partitë e reja politike, qoftë Partia Popullore ku ishin Noli e Zogu, shoqata ‘Bashkimi’ ku ishte Avni Rustemi, etj. Në fund të fundit me politikanët duhet ta frekuentojmë më shpesh shtëpinë e Kongresit.
Pyetje: A reflektohet mesazhi i Kongresit të Lushnjës, sot tek politika?
Ministri Balla: Kongresi i Lushnjës ishte moment bashkimi, moment historik për Shqipërinë. Kur bëhej fjalë që mund të vazhdonte copëtimi edhe i mëtejshëm i Shqipërisë, Italia kish marrë nga Durrësi deri në Vlorë, Greqia juglindjen e vendit, Serbia mundohej të kontrollonte gjithë pjesën nga Shkodra deri në Dibër, shqiptarët e mençur dhe atdhetarë u mblodhën këtu në Lushnjë, për të dhënë një mesazh bashkimi, e prej këtu u caktua edhe delegacioni jonë në Konferencën e Paqes në Paris, aty ku u mbrojtën kufijtë e Shqipërisë, e pastaj mori udhë shteti i ri shqiptar, me institucione, parlament, gjykata e gjithçka tjetër. Merita u takon atyre atdhetarëve që morën këtë vendim, por sot një meritë të veçantë ka populli i Lushnjës që garantoi zhvillimin normal 10 ditor të këtij Kongresi.