Vendosni fjalën kyçe....

25 viktima pas bombardimit të një tregu në Donetsk, Rusia akuza Ukrainës


Të paktën 25 persona u vranë të dielën nga bombardimet në një treg në periferi të qytetit Donetsk në Ukrainën e pushtuar nga Rusia, njoftuan zyrtarët lokalë.

20 persona të tjerë u plagosën në sulmin në periferi të Tekstilshchik, duke përfshirë dy fëmijë, tha Denis Pushilin, kreu i autoriteteve të vendosura nga Rusia në Donetsk. Ai tha se predhat ishin qëlluar nga ushtria ukrainase.

Kievi nuk ka komentuar mbi ngjarjen dhe pretendimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur nga Associated Press.

Pushilin tha se zona ishte goditur nga artileria e kalibrit 155 mm dhe e kalibrit 152 mm dhe se predhat ishin gjuajtur nga drejtimi Kurakhove dhe Krasnohorivka në perëndim. Ai gjithashtu konfirmoi se shërbimet e urgjencës kanë vazhduar punën në vendin e ngjarjes.

Një sulm ukrainas me dron në një depo nafte brenda Rusisë shkakton një zjarr masiv, thonë zyrtarët

Në një deklaratë, Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë e përshkroi sulmin, për të cilin fajësoi Ukrainën, si një “sulm terrorist”.

“Këto sulme terroriste nga regjimi i Kievit tregojnë qartë mungesën e vullnetit të tij politik drejt arritjes së paqes dhe zgjidhjes së këtij konflikti me mjete diplomatike”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu të dielën, zjarri shpërtheu në një terminal transporti kimik në portin Ust-Luga të Rusisë pas dy shpërthimeve, thanë zyrtarët rajonalë. Mediat lokale raportuan se porti ishte sulmuar nga dronët ukrainas, duke shkaktuar shpërthimin e një rezervuari gazi.