Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka përkujtuar 104-vjetorin e fillimit të punimeve të Kongresit të Lushnjës.. Sipas Begajt, përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi që i kanosej. Ai shton se patriotët e mëdhenj lanë mënjanë ndasitë dhe u bënë bashkë për idealin dhe interesin kombëtar
“Përfaqësues nga gjithë trevat shqiptare u mblodhën në Kongresin e Lushnjës (21-31 janar 1920) për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i copëtimit. Delegatët rishpallën besën për mëvetësi të plotë dhe integritet territorial të Shqipërisë. Atdhetarë të vërtetë, ata lanë ndasitë dhe u bënë bashkë duke vënë mbi gjithçka interesin kombëtar. Nderim për modelin e tyre patriotik!”, shkruan kreu i shtetit.
Kongresi i Lushnjës, që njihet si një ngjarje e madhe e historisë së kombit tonë u mbajt prej 21 deri më 31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.
Gjatë ditëve të punimeve Kongresi zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.
Kongresi i zhvilloi punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kaso Fuga. Në atë Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria.