Në një mbrëmje të errët të së premtes në nëntor 2023, tre persona u ngjitën në një gardh në portin e madh të Antwerpen në Detin e Veriut, drejtuan thikat mbi punonjësit e doganës dhe i detyruan ata të hapnin një kontejner të konfiskuar. Zyrtarët e sigurisë thonë se sulmuesit e dinin saktësisht se çfarë do gjenin. Brenda, të zhytur mes lëkurave të kafshëve, kishte pako kokaine.
Antwerpen, i njohur historikisht si një qendër për tregtimin e diamanteve, ka zhvilluar një reputacion si kryeqyteti i importit të kokainës në Evropë. Vitin e kaluar, doganierët belgë kapën një rekord prej rreth 116 tonelatash kokainë atje, sipas shifrave të publikuara këtë javë nga Ministria belge e Financave.
Kjo është më shumë se trefishi i sasisë që zyrtarët e doganave dhe kufirit të SHBA-së kanë kapur në të gjitha Shtetet e Bashkuara. Por zyrtarët vlerësojnë se është vetëm një pjesë e vogël e drogës që kontrabandohet në mesin e 12 milionë kontejnerëve që kalojnë nëpër Antwerpen çdo vit.
Kreu i shërbimit doganor të Belgjikës tha në një intervistë se konfiskimet veçanërisht të mëdha në vjeshtë duket se kanë shkaktuar një reagim të dhunshëm, së bashku me një çështje të re: Autoritetet nuk kanë qenë gjithmonë në gjendje të shkatërrojnë atë që kanë konfiskuar përpara se bandat e drogës të përpiqen ta vjedhin mbrapsht drogën.
“Të sulmosh policinë, të sulmosh doganat, kjo nuk është diçka që e shihni në Evropë”, tha Kristian Vanderwaeren, drejtor i përgjithshëm i agjencisë doganore të Belgjikës.
“Kisha vërtet frikë se njerëzit e mi do vriteshin nëse kjo do vijote.”
Porti i Antweerpen është shumë i madh, duke mbuluar një zonë gati sa madhësia e Pitsburgut në SHBA. Njëzet mijë anije u ankoruan atje vitin e kaluar, duke e bërë atë portin e dytë më të ngarkuar të Evropës pas Roterdamit në Holandë. Pasi autoritetet holandeze rritën sigurinë për sa i përket kontrabandës së drogës, kontrabandistët zhvendosën më shumë nga operacionet e tyre në Antwerpen, tha Stijn Hoorens, një studiues i tregtisë së drogës dhe politikave në Rand Europe.
Dërgesat rriten me afrimin e sezonit të festave të fundvitit, tha Vanderwaeren, duke krijuar atë që ai e quajti një “Krishtlindje të bardhë” në port. Më 3 nëntor, në të njëjtën ditë me thyerjen e objektit doganor, autoritetet kapën 7 ton kokainë të fshehura në kuti me banane nga Ekuadori.
Ngarkesat e konfiskuara të kokainës grumbulloheshin në objektet doganore. Autoritetet holandeze e djegin shpejt drogën e sekuestruar. Por qeveria belge nuk kishte kapacitetin për ta bërë këtë. Dhe për shkak se bandat e drogës tentojnë të gjurmojnë dërgesat e tyre me pajisje dixhitale të gjetjes, ato mund të gjejnë lehtësisht kokainën që nuk është hequr nga kontejneri i saj.
“Organizata kriminale nuk kishte frikë të vinte në një object doganor dhe të merrte kokainën e saj, edhe nëse kjo do të thoshte se do duhej të vrisnin një doganier,” tha Vanderwaeren.
Atë natë të nëntorit, disa nga punonjësit e doganës mundën të fshiheshin në një zyrë dhe të thërrisnin policinë. Sulmuesit u arratisën, duke lënë pas drogën për të cilën me sa duket erdhën, para se të kapeshin dhe para se dikush të lëndohej.
Në një tjetër episod të kohëve të fundit, komandot e maskuar belgë SWAT u përplasën me një makinë të zezë që lëvizte pranë portit dhe arrestuan shtatë burra të armatosur. Policia kishte vepruar në bazë të informacioneve se burrat po shkonin për të vjedhur kokainën e sekuestruar. Ashtu si sulmi i 3 nëntorit, episodi ndodhi në të njëjtën ditë me një konfiskim të madh – kur zyrtarët kapën “disa ton” kokainë në një ngarkesë me miell soje nga Sierra Leone.
Në dhjetor, një sulm me zjarrvënie dogji një magazinë doganore që ruan makina dhe armë të konfiskuara në jug të vendit, në atë që zyrtarët dyshojnë se ishte një akt hakmarrjeje për konfiskimet doganore.
Pas sulmeve të fundit, ushtria belge u vendos për të ruajtur kamionët dhe objektet doganore. Vanderwaeren tha se ai mori më shumë mjete për të shkatërruar drogën, kështu që ai tani mund të djegë shumicën e konfiskimeve brenda një ose dy ditësh. Shkatërrimi i një ngarkese të madhe si ato të përgjuara në vjeshtë mund të jetë ende një sfidë.
Javën e kaluar, forcat e policisë federale të Belgjikës njoftuan se kishin bastisur 45 prona, duke arrestuar 22 persona, përfshirë tre oficerë policie, të lidhur me tregtinë e drogës.
Konfiskimet dhe arrestimet ende nuk duket se kanë prishur modelin e biznesit të bandave kriminale. Çmimet në rrugë për kokainën kanë mbetur mjaft të qëndrueshme gjatë disa viteve të fundit, edhe pse cilësia rritet, tha Hoorens, eksperti i tregtisë së drogës. Prodhimi po rritet në Amerikën Latine dhe kartelet e drogës po bëhen më të sofistikuara, duke u integruar me rrjetet evropiane të krimit dhe duke ndërtuar objektet e tyre në Evropë për përpunimin e drogës, tha ai.
Sipas Europol, agjencia e zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian, Ekuadori dhe porti i tij kryesor i Guayaquil kanë qenë burimet më të mëdha të kokainës me destinacion Evropën, duke pasqyruar se si bandat meksikane dhe shqiptare kanë depërtuar në vend. Këtë muaj, presidenti i Ekuadorit shpalli një “gjendje lufte” kundër bandave të drogës, pas një sërë atentatesh, pengmarrjesh në burg dhe përplasjesh me armë.
Në vendet e eksportit, bandat japin ryshfet ose zhvatin punëtorët e portit për t’i lejuar ata të fshehin kokainën midis dërgesave të ligjshme. Kontrabandistët përdorin kontejnerët e mbushur me mallra që prishen, si fruta dhe peshk, gjë që ushtron më shumë presion mbi punonjësit e portit dhe doganave për të lëvizur shpejt kontejnerët, tha Hoorens. Ndonjëherë droga futet në një qese të hedhur në një enë të rastësishme. Ndonjëherë metodat janë më të ndërlikuara.
Autoritetet belge kanë gjetur kokainë të paketuar në trungje të zbrazura dhe ananas. Droga gjithashtu mund të lahet në pëlhurë, të lihet të thahet dhe më pas të përpunohet përsëri në pluhur pasi të ketë arritur destinacionin.
Zyrtarët doganorë përdorin makineri gjigante me rreze X për të parë brenda kontejnerëve pa i hapur ato. Por skanimi i më shumë se një përqindjeje të vogël të dhjetëra mijëra kontejnerëve që kalojnë çdo ditë përmes portit të Antwerpen nuk është një mundësi.
“Nuk ka absolutisht asnjë mënyrë që kjo të jetë e mundur,” tha Hoorens.
“Çdo kontejner që i nënshtrohet skanimit do shkaktojë vonesa dhe vonesat kushtojnë para.”
Sasi të mëdha droge kalojnë nëpër kontejnerë që nuk kontrollohen kurrë.
Në gjithë Evropën, portet janë në konkurrencë me njëri-tjetrin për të tërhequr dërgesat tregtare. Antwerpen është vetëm 40 milje nga Roterdami. Portet më të vogla si Vlissingen në Holandë, Le Havre në Francë dhe Hamburg në Gjermani janë të gjithë të prirur për më shumë biznes.
“Nëse Roterdami dhe Antwerpen do e rrisin nivelin e sigurisë, ata do kërkojnë rrugë alternative,” tha Hoorens për kontrabandistët e drogës.
Këtë muaj, Belgjika mori presidencën e rradhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, një pozicion që i lejon vendit të vendosë axhendën e nivelit të lartë për një pjesë të qeverisë së Bashkimit Evropian. Rritja e bashkëpunimit për të frenuar trafikun e drogës ndërmjet porteve evropiane është një nga prioritetet kryesore të Belgjikës për mandatin e saj gjashtëmujor.
Dhuna ndaj drogës është ndezur vitet e fundit si në Belgjikë ashtu edhe në Holandë. Në vitin 2021, një gazetar i njohur holandez i krimit u vra pasi ndihmoi të këshillonte një ish-gangster që po dëshmonte kundër një bosi droge.
Ministri i drejtësisë i Belgjikës u desh të fshihej në vitin 2022 pas kërcënimeve për jetën nga krimi i organizuar. Janarin e kaluar, një vajzë 11-vjeçare u vra kur u kap nga të shtënat e një bande, tha policia në atë kohë.
Megjithatë, jo të gjithë pajtohen se zbatimi më i rreptë është mënyra për të ecur përpara. Kryebashkiakja e Amsterdamit, Femke Halsema, shkroi në një editorial në the Guardian këtë muaj se Holanda “rrezikon të bëhet një narkoshtet” nëse qasja aktuale globale e “luftës kundër drogës” vazhdon në vend të miratimit të alternativave të tilla si dekriminalizimi. Politikanët në kryeqytetin zviceran, Bernë, po konsiderojnë legalizimin e shitjeve rekreative të kokainës.
Pavarësisht, Vanderwaeren është zotuar të vazhdojë të lobojë për më shumë skanerë dhe staf, në mënyrë që të mund të ndërtojë një “mur” në Antwerpen që do etë shumë i mundimshëm për trafikantët e drogës që të përpiqen ta depërtojnë.
Oficerët e tij tashmë marrin këshilla nga agjentët e DEA-s amerikane se cilatb anije duhet të shikojnë më nga afër. Zyrtarët në portet e Amerikës Latine po skanojnë gjithnjë e më shumë kontejnerët përpara se të dërgohen, duke lejuar oficerët belgë të shikojnë pamjet dhe të vendosin se cilat kontejnerë të kërkojnë para se të mbërrijnë.
“Ne do përmirësohemi derisa kanceri të jetë jashtë portit,” tha Vanderwaeren.
“Kjo është mënyra e vetme për t’u bërë të qartë kriminelëve se porti i Antwerpen nuk është më vendi për importimin e drogës.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post