Vendosni fjalën kyçe....

Nis marshi Paris-Bruksel në shenjë solidariteti me Palestinën


Një marshim në Paris në solidaritet me Palestinën, i cili synon të arrijë në Bruksel deri në 1 shkurt, kur do të mbahet një takim special i Këshillit Evropian, filloi të shtunën.

Duke mbajtur flamuj palestinezë dhe pankarta që shkruanin: “Palestina e lirë dhe Ndaloni Gjenocidin”, demonstruesit brohorisnin gjithashtu, “Izraeli po vret fëmijët palestinezë” dhe “Rroftë lufta e popullit palestinez”.

Taktak Alaa Eddine, një anëtar i Shoqatës Franceze të Solidaritetit të Palestinës (AFPS), tha për Anadolu se protestuesit do t’u bëjnë thirrje zyrtarëve të BE-së që të vendosin sanksione ekonomike dhe politike kundër Izraelit gjatë takimit të Këshillit të BE-së.

Duke e quajtur Izraelin një shtet aparteidi, ai tha se BE-ja është në anën e gabuar të historisë, për shkak të politikave të saj në konfliktin izraelito-palestinë.

Izraeli ka nisur sulme ajrore dhe tokësore në Gaza që nga një sulm ndërkufitar i Hamasit,i cili sipas autoriteteve izraelite ka vrarë 1200 njerëz ndërkohë që militantët morën edhe 253 pengje, një pjesë e të cilëve janë liruar.

Të paktën 25 mijë palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 62,388 janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.