Situata problematike e krijuar nga moti me reshje të dendura dëbore në fshatrat e bashkive Librazhd e Përrenjas, duket se është qetësuar ndjeshëm.
Pothuajse të gjitha rrugët rurale që u bllokuan nga dëbora, trashësia e të cilës në disa fshatra shkoi mbi 40 cm janë hapur dhe energjia elektrike është rikthyer pas orës 02:00 të kësaj fundjave.
Nënprefekti i Rrethit të Librazhdit, Josif Laska, e cilëson situatën e krijuar së fundi nga moti i keq nga më të vështirat gjatë këtij Dimri.
Pavarësisht problemeve të shumta të krijuara pothuajse në të gjithë territorin e bashkive të Rrethit të Librazhdit, situata e emergjencës së krijuar u menaxhua dhe u përballua me sukses.
Në të gjitha segmentet e bllokuara rrugore u punua me forca e mjete të shumta për hapjen e rrugëve dhe kriposjen e tyre për të rikthyer normalitetin dhe për të rritur shkallën e sigurisë në qarkullimin e automjeteve.
Edhe në qytetet Librazhd dhe Përrenjas ku ra borë, u morën masa për të evituar problematikat.Pas ndërhyrjes në terren, është bërë e mundur rikthimi i energjisë elektrike.
Ndërkaq edhe në fshatrat malorë të bashkive Elbasan e Gramsh rrugët janë pothuajse të hapura dhe energjia elektrike mungon në shumë pak lagje.