Vendosni fjalën kyçe....

Vendi aziatik zbulon depozita të mëdha litiumi


Tajlanda ka gjetur gati 15 milionë tonë burime litiumi në provincën e saj jugore të Phang Nga, njoftoi të premten një zyrtar qeveritar. Minerali është thelbësor për industrinë e energjisë së rinovueshme.

Zbulimi do të thotë se vendi tani krenohet me rezervat e treta më të mëdha të litiumit në botë, pas Bolivisë dhe Argjentinës. Megjithatë, është e paqartë se sa nga këto mund të shfrytëzohen për qëllime komerciale.

Sipas zëdhënësit të qeverisë, depozitat janë gjetur në dy vende të ndryshme.

“Ne po përpiqemi të zbulojmë se sa mund të përdorim nga burimet që gjetëm. Duhet kohë”, tha Rudklao për stacionin televiziv The Nation, sipas AFP.

“Është një lajm i mirë. Është një mundësi për Tajlandën që të bëhet e pavarur në prodhimin e baterive të makinave  elektrike,” tha Rudklao.

Kërkesa për litium është rritur në të gjithë botën pasi minerali është jetik për prodhimin e telefonave inteligjentë, baterive të makinave dhe pajisjeve të tjera elektronike të karikueshme. Për më tepër, OKB-ja e konsideron litiumin një “shtyllë për ekonominë pa lëndë djegëse fosile” për shkak të potencialit të tij për ruajtjen e energjisë në rrjetet e pastra të energjisë në të ardhmen.

Ndërkohë, administrata e kryeministrit tajlandez Srettha Thavisin, i cili mori detyrën në gusht, ka vendosur një objektiv për ta kthyer vendin në një bazë rajonale prodhimi për automjetet elektrike. Tajlanda ka një histori të prodhimit të automobilave konvencionale.