Janë mësuar të tjera detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur paraditen e sotme (21 Janar) në Burrel, ku Islam Meta vrau me armë gjahu Petrit Kuka.
Mësohet se autori i ngjarjes është Islam Meta, 63-vjeç, ndërsa viktima është Petrit Kuka 52-vjeç.
Ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, pasi viktima, 10 vite më parë i kishte plagosur vajzën autorit.
Kujtojmë që pas ngjarjes autori telefonoi policinë dhe u vetëdorëzua.
Mat/Informacion paraprak
Më datë 21.01.2024, në fshatin Vig, në Burrel, shtetasi I. M., rreth 63 vjeç, ka vrarë me armë gjahu shtetasin P. K, rreth 52 vjeç.
Autori i dyshuar i kësaj ngjarje, pasi ka kryer krimin ka telefonuar Policinë dhe ka treguar mbi rrethanat e ngjarjes dhe më pas ka kërkuar të vetëdorëzohet.
Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se ngjarja ka ndodhur për arsye se, viktima shtetasi P.K., në vitin 2013, për motive të dobëta ka plagosur vajzën e shtetasit I.M.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po bëjnë shoqërimin e shtetasit I.M , në komisariat.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.