Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi në Banjskë, Kurti: Nuk mund t’i heqim masat e sigurisë ndaj Serbisë sa kohë Radoiçiç është i lirë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në samitin e Bashkimit Evropian, që është mbajtur në Shkup, kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij për gazetarët, kreu i qeverisë së Kosovës  foli edhe një herë për sulmin në Banjskë ku u vra rreshteri Afrimi Bunjaku, derisa tha se ndaj Serbisë kanë vetë masa sigurie, transmeton Telegrafi.

“Armatimi është prodhuar në Serbi dhe ka ardhur nga Serbia, grupi paramilitar janë të lirë me krye me Milan Radoiçiç. Pra, ne nuk kemi masa tregtare ndaj Serbisë por vetëm masa sigurie. Nuk mund t’i heqim masat e sigurisë, derisa e kemi grupin paramilitar të lirë dhe ku po organizohen pa ndryshuar qëllimet dhe sjelljet e tyre”, u shpreh ai.

Më tej, Kurti foli për planin për zgjerimin e Bashkimit Evropian, derisa tha se ky plan do të sjellë mbështetje financiare për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Telegrafi.

“Ne kemi planin e rritjes i cili do të sjelle mbështetje financiare 6 miliardë euro për 6 vende të Ballkanit Perëndimor që duan të hyjnë në Bashkimin Evropian. Mbështetja financiare varet nga puna dhe performanca veç e veç, pra, nëse shtetet në procesin e Berlinit arrijnë diçka pozitive atëherë ajo bartet te plani i rritjes, por nëse pengojnë njëra –tjetrën nuk ka atëherë efekt plani i rritjes”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se anëtarësimi në BE është synim i Kosovës dhe i qytetarëve, ku përqindja është rreth 94%.