Vendosni fjalën kyçe....

Udhëheqësja gjermane e ekstremit të djathtë premton referendum për daljen e Gjermanisë nga BE-ja


Alternativa për Gjermaninë, një parti e ekstremit të djathtë do nxisë një referendum të stilit Brexit për anëtarësimin në BE nëse vjen në pushtet, tha drejtuesja Alice Weidel, duke përshëndetur daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga blloku si “të drejtë “.

“Është një model për Gjermaninë, që dikush mund të marrë një vendim sovran të tillë,” tha ajo në një intervistë me Financial Times.

Weidel, kryetare e partisë që nga viti 2022, tha se një qeveri e AfD-së do kërkonte të reformonte BE-në dhe të largonte “deficitin e saj demokratik”, duke përfshirë frenimin e kompetencave të Komisionit Evropian, një “ekzekutiv i pazgjedhur”.

“Por nëse një reformë nuk është e mundur, nëse dështojmë të rindërtojmë sovranitetin e vendeve anëtare të BE-së, duhet t’i lëmë njerëzit të vendosin, ashtu siç bëri Britania”, tha ajo.

“Dhe ne mund të kemi një referendum për “Dexit” – një dalje gjermane nga BE.”

Ideja thyen një tabu të madhe në Gjermani, ku partitë kryesore janë me devotshmëri pro-evropiane. Gjithashtu, Kushtetuta gjermane vendos kufizime të forta për plebishitet kombëtare dhe edhe nëse do të mbahej një i tillë, sondazhet sugjerojnë se një shumicë e madhe e gjermanëve do votonin për të mbetur në BE. Megjithatë, mes votuesve të AfD-së, mbështetja për BE-në është më e dobëta.

Weidel po fliste në sfondin e një rritjeje të madhe të mbështetjes për AfD-në, që është në 22 për qind në sondazhe – përpara të tre partive në koalicionin e lëkundur të kancelarit Olaf Scholz, socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët.

Pritet të fitojë zgjedhjet vendimtare në shtator në shtetet lindore të Saksonisë, Brandenburgut dhe Turingenit – megjithëse me të gjitha partitë e tjera kryesore që kundërshtojnë të arrijnë marrëveshje koalicioni me AfD-në, rruga e saj drejt pushtetit është e paqartë.

Agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane ka caktuar pjesë të mëdha të ekstremistëve të AfD-së dhe ka vënë nën vëzhgim disa nga zyrtarët e saj. Megjithatë, partia ka përfituar nga zemërimi publik me kancelarin Scholz dhe menaxhimin e tij të një ekonomie në përkeqësim.

Por ditët e fundit ajo është gjetur përballë një stuhie mbi raportet për një takim të diskutueshëm nëntorin e kaluar midis ligjvënësve të AfD dhe radikalit austriak të ekstremit të djathtë Martin Sellner që diskutoi një plan “emigrimi” për të larguar me forcë miliona njerëz me prejardhje emigrante nga Gjermania, duke përfshirë shtetasit me pasaporta gjermane.

Demonstratat kundër AfD-së janë mbajtur në një numër qytetesh gjermane, me politikanët që japin alarmin për rrezikun që paraqet partia për institucionet demokratike të vendit.

Weidel nuk mori pjesë në takim dhe ia kaloi komentet një ndihmësi të ngushtë që kishte qenë i pranishëm. Megjithatë, ajo ka luftuar për të frenuar reagimin. Lars Klingbeil, udhëheqësi i Social Demokratëve, e akuzoi atë për minimizimin e planit të dëbimit dhe në vend të kësaj sulmoi një “fushatë shpifjeje mediatike” kundër AfD-së.

“Ti je një ujkonjë me lëkurë deleje”, i tha ai gjatë një debati në Bundestag javën e kaluar.

“Por unë po ju them: fasada juaj ka filluar të shkërmoqet. Njerëzit më në fund po shohin fytyrën e vërtetë të AfD-së.”

Në intervistën e saj, Weidel fajësoi “Correctiv”, gazeta investigative që raportoi fillimisht takimin, duke dënuar metodat e organizatës si “skandaloze”.

“Ishte thjesht një përpjekje për të kriminalizuar vetë idenë e riatdhesimit të ligjshëm të njerëzve që nuk kanë leje të qëndrojnë këtu, ose i nënshtrohen një urdhri deportimi,” tha ajo.

“AfD është partia që po kërkon zbatimin e ligjeve të këtij vendi.”

Ajo tha se, për të, koncepti i “emigrimit” nënkuptonte dëbimin e njerëzve që kishin “fituar në mënyrë të paligjshme shtetësinë me pretendime të rreme”, ose individëve “me shtetësi të dyfishtë që dyshohen për terrorizëm, ose janë të dënuar si kriminelë”.

Ajo përjashtoi dëbimet masive.

“Nuk mund të përgjithësosh këtu.”

Por ajo tha gjithashtu se 1.1 milionë refugjatët ukrainas që aktualisht ndodhen në Gjermani nuk kishin të ardhme afatgjatë në vend, duke shtuar se ishte gabim t’i lejoje ata të merrnin pagesa të mirëqenies. “Është e qartë se kur të përfundojë lufta, të gjithë ukrainasit do duhet të kthehen në shtëpi. Ata do nevojiten gjithsesi për të ndihmuar në rindërtimin e vendit të tyre.”

AfD u krijua në vitin 2013 nga ekonomistë konservatorë të zemëruar nga ndihmat e eurozonës gjatë krizës së borxhit sovran. Por gradualisht u zhvendos djathtas, duke “kalëruar” mbi një valë zemërimi ndaj politikës së dyerve të hapura për refugjatët të ish-kancelares Angela Merkel për të krijuar një platformë të ashpër kundër emigracionit dhe anti-establishment.

Weidel, e cila ka një Doktoraturë në Ekonomi dhe ka punuar për Goldman Sachs dhe Allianz Global Investors përpara se të hynte në politikë, ka udhëhequr grupin parlamentar të AfD-së që nga viti 2017. Në një partneritet civil me një grua nga Sri Lanka, ajo dallohet në një parti të dominuar nga meshkujt me pamje tradicionale të familjes.

Me bluzën e saj të bardhë dhe perlat e markës, sfondin e pasur dhe karrierën në financa, ajo i jep AfD-së “një atmosferë respekti borgjez që ka një tërheqje të fortë për votuesit e klasës së mesme përtej bazës së saj tradicionale të së djathtës”, tha Hans Vorländer, një shkencëtar politik në Universitetin Teknik të Dresdenit.

Megjithatë, zyrtarët e sigurisë paralajmërojnë se pas këtij imazhi fshihet një parti ku janë infiltruar shumë nga ekstremistët e krahut të djathtë dhe që po radikalizohet gjithnjë e më shumë. Një gjykatë gjermane vendosi në vitin 2019 se një nga politikanët e saj më të lartë, Björn Höcke, mund të përshkruhet si fashist, duke cituar “fakte të verifikueshme”.

Partitë e tjera i janë përgjigjur kërcënimit të AfD-së duke ndërtuar një “mur mbrojtës” që përjashton çdo formë koalicioni apo bashkëpunimi me partinë. Si rezultat, pavarësisht fuqisë së saj në sondazhe, AfD nuk sundon në asnjë nga 16 qeveritë e shteteve të Gjermanisë.

Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë është përpara socialdemokratëve qeverisës, të gjelbërve dhe demokratëve të lirë në sondazhe.

Duke folur nga zyra e saj me pamje nga Reichstag-u, me zhurmën e protestave antiqeveritare të dëgjueshme në largësi, vetë Weidel pranoi se AfD-ja nuk do vinte në pushtet në Berlin “para vitit 2029”.

Por ajo këmbënguli se një rol i ardhshëm i AfD-së në qeveri ishte “i pashmangshëm”, duke parashikuar se Kristian Demokratët e qendrës së djathtë (CDU) do ishin të parët që do braktisnin bojkotin e tyre.

“CDU-ja nuk do jetë në gjendje të ruajë murin e saj mbrojtës që ka ngritur  në një afat të gjatë,” tha ajo për partinë e udhëhequr dikur nga Merkel. Zgjedhjet në shtetin qendror të Gjermanisë Hessen vitin e kaluar kishin treguar “se ne mund të formojmë një shumicë të qartë të krahut të djathtë. Dhe CDU-ja nuk mund të kundërshtojë ta pranojë këtë në terma afatgjatë, veçanërisht në shtetet lindore.”

E pyetur se cilat do ishin prioritetet kryesore të AfD-së në qeveri, Weidel tha se do “fuste kontrolle efektive kufitare dhe do dëbonte menjëherë kriminelët e huaj”.

Do reformonte sistemin e taksave, do zvogëlonte administratën dhe do i jepte fund zhvendosjes së Gjermanisë nga karburantet fosile drejt energjisë së rinovueshme.

“Franca po planifikon 15 stacione të reja të energjisë bërthamore ndërsa ne kemi vënë bast te turbinat me erë dhe panelet diellore që nuk mund t’i bëjmë as vetë.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani