Blegtorë të zonave pranë Levanit në Fier janë ngritur në protestë kundër monopolizimit të prodhimit të qumështit. Sipas tyre, fabrikat në vend kanë ulur çmimin e qumështit nga 160 lekë të reja në 120 lekë të reja, ulje kjo e cila ka sjellë krizë financiare për blegtorët duke detyruar disa prej tyre të mbyllin bizneset duke çuar tufat e deleve në thertore.
Ata kërkojnë njëzëri rishikimin e çmimit të qumështit dhe fabrikat e përpunimit të mos monopolizohen.
Sipas BW, këta blegtorë pohojnë se kanë problematika të shumta duke filluar nga mirëmbajtja e kullotave, te toka të marra me qira si edhe tregu, i cili mungon.
Protestuesit bllokuan aksin që lidh Levanin me autostradën Fier-Vlorë me shpresën që zëri i tyre të dëgjohet deri në instancat më larta për të mbrojtur interesat e blegtorëve. Në këtë aks janë paraqitur edhe forca të policisë rrugore për të bindur protestuesit në lirimin e këtij aksi.