Interi fitoi Superkupën e Italisë për herë të tretë radhazi, duke mposhtur 1-0 Napolin në finalen e zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite. Mëngjesin e sotëm zikaltërit kanë mbërritur në Milano, aty ku do përgatisin duelet në Serie A.
Me një ndeshje më pak, Interi e sheh veten -1 pikë pas Juventusit kryesues. Të diel Interi ka një transfertë të vështirë, kjo pasi përballet me Fiorentinën në Firence. Për këtë duel trajneri Inzaghi ka të pezulluar dy shtyllat e mesit të fushës, Hakan Calhanoglu dhe Nicolo Barella.
Kësisoj, nga minuta e parë do jenë Kristjan Asllani dhe Frattesi, që do marrin në dorë regjinë e lojës. Edhe pse nuk mori minuta në finalen e Superkupës, Asllani tanimë të diel duket se do jetë nga fillimi në fushë, duke pasur mundësi për të treguar veten. Kujtojmë se ndeshjen e prapambetur kundër Atalantës, Interi do e zhvillojë në datën 28 shkurt.