Përdorimi i kanabisit mjekësor për menaxhimin e dhimbjeve kronike mund të rrezikojë pacientët për sa i përket zhvillimit të aritmisë dhe sindromës akute koronare, thotë një studim i ri.
Studimi vjen nga Danimarka, e cila është një nga më shumë se 40 vendet në mbarë botën që ka legalizuar përdorimin e kanabisit mjekësor për përdorim të të rriturve.
Studiuesit rekrutuan 5,391 individë që përjetuan dhimbje kronike të cilët nuk kishin përdorur kurrë më parë kanabis. Simptomat e tyre të dhimbjes vinin nga artriti, problemet e shpinës, rrëshqitja e disqeve, thyerjet e ndërlikuara, kanceri, sëmundjet neurologjike, dhimbjet e kokës dhe diagnoza të tjera të paspecifikuara të dhimbjes.
Pak më pak se dy të tretat e pacientëve ishin gra (63.2 përqind), dhe mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 59 vjeç. Shumë kishin përvojë në përdorimin e *NSAID, opioidëve, antiepileptikëve dhe barnave kundër depresionit për të përballuar dhimbjen e tyre. Disa morën gjithashtu beta-bllokues dhe barna antihipertensive.
Gjatë studimit, pak më pak se gjysma e pacientëve (47 përqind) morën kanabis mjekësor vetëm me THC, 24 përqind e pacientëve morën kanabis mjekësor vetëm me CBD dhe 29 përqind morën kanabis mjekësor me një përzierje të dy vetive.
26,941 pacientë të tjerë u rekrutuan për të shërbyer si grup kontrolli. Grupi i kontrollit nuk mori kanabis si trajtim.
Ekipi hulumtues zbuloi se brenda 180 ditëve nga ndjekja, 42 pacientë zhvilluan aritmi të reja. Aritmitë e reja ishin më të zakonshme tek pacientët me kancer ose sëmundje kardiometabolike.
Aritmia ndodh kur zemra fillon të rrahë në mënyrë të parregullt. Mund të rrahë shumë shpejt, shumë ngadalë ose me një ritëm të parregullt.
Kur nuk trajtohet, aritmia mund të dëmtojë zemrën, trurin dhe organet e tjera vitale. Aritmitë mund të çojnë gjithashtu në goditje kërcënuese për jetën, dështim të zemrës ose arrest kardiak.
Për më tepër, ekipi hulumtues zbuloi se në mesin e pacientëve të ekspozuar ndaj kanabisit për herë të parë, 22 përjetuan goditje në tru dhe 13 përjetuan dështim të zemrës për herë të parë.
Megjithatë, pacientët në grupin e kontrollit përjetuan gjithashtu dështim të zemrës dhe goditje në tru, duke i bërë studiuesit të gjejnë “asnjë lidhje të rëndësishme” midis goditjes në tru ose dështimit të zemrës për herë të parë dhe përdorimit të kanabisit mjekësor.
“Megjithë një ndryshim të ulët të rrezikut absolut, kjo është njohuri jetike për çdo mjek që jep recetë për shkak të kërkesës në rritje për kanabis mjekësor si trajtim dhimbjeje,” shkroi ekipi hulumtues.
Në studim vërehet se shkalla e shfaqjes së aritmive të reja të shkaktuara nga kanabisi mjekësor është e ngjashme me normat e gjetura në pacientët e trajtuar me opioidë, antiepileptikë dhe NSAID.
*NSAID – Non-steroidal anti-inflammatory drugs (Barna anti-inflamatore jo-steroide)