Vendosni fjalën kyçe....

Përjetë jashtë industrisë së ilaçeve, Martin Shkrelit i lihet në fuqi dënimi


Martin Shkreli, i njohur për rritjen dikur të çmimit të një medikamenti që shpëton jetë me më shumë se 4,000%, nuk mund të kthehet në industrinë farmaceutike pasi një gjykatë federale e apelit të martën la në fuqi ndalimin e tij të përjetshëm.

Një panel prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së dytë të Apelit të Rrethit të SHBA-së në Manhatan tha se një gjykatësi i gjykatës më të ulët veproi siç duhet në vendosjen e ndalimit për shkak të shkeljeve antitrust të Shkrelit, përcjell Reuters.

Çështja ishte ngritur nga Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA (FTC), të cilit iu bashkuan Nju Jorku, Kalifornia, Illinois, Karolina e Veriut, Ohio, Pensilvania dhe Virxhinia.

40 vjeçari, u bë i njohur dhe fitoi çmimin “Pharma Bro” kur, si shef ekzekutiv i Turing Pharmaceuticals në 2015, ngriti çmimin e ilaçit antiparazitar Daraprim brenda natës nga 17,50 dollarë për tabletë në 750 dollarë.

Më vonë ai vuajti më shumë se katër vjet burg pas dënimit të tij në 2017 për mashtrim të investitorëve në dy fonde mbrojtëse dhe mashtrimin e një prodhuesi tjetër ilaçesh.

Në janar 2022, gjykatësja e qarkut amerikan Denise Cote vendosi ndalimin e përjetshëm të Shkrelit dhe e urdhëroi atë të kthente 64.6 milionë dollarë, duke përmendur taktikat e tij “veçanërisht pashpirt dhe shtrënguese” në monopolizimin e Daraprim dhe mbajtjen e rivalëve jashtë tregut.

Daraprim përdoret për trajtimin e toksoplazmozës, duke përfshirë edhe pacientët me AIDS.

Gjykata e apelit hodhi poshtë argumentet e Shkrelit se urdhri i Cote ishte tepër i gjerë dhe në mënyrë jokushtetuese e kufizonte lirinë e fjalës së tij duke e penguar atë edhe të përdorte mediat sociale për të diskutuar mbi industrinë farmaceutike.