Vendosni fjalën kyçe....

Suedia: Nuk ka arsye për të negociuar me Hungarinë për anëtarësimin në NATO


Ministri i Jashtëm suedez, Tobias Billstrom tha të martën se ai nuk sheh asnjë arsye për të negociuar me Hungarinë për anëtarësimin e vendit në NATO. Ky koment erdhi disa orë pasi Budapesti tha se duhet diskutuar për këtë çështje.

Më herët gjatë ditës së sotme, kryeministri hungarez Viktor Orbán tha se kishte ftuar homologun e tij suedez të vizitojë kryeqytetin hungarez për bisedime që synojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth ratifikimit të kërkesës së Suedisë për anëtarësim në NATO, një proces që është vonuar nga Hungaria dhe Turqia.

“Gjatë samitit të Madridit vitin e kaluar, Hungaria (..) i dha Suedisë statusin e mysafirit me synimin për t’u anëtarësuar në NATO, pa asnjë rezervë“, tha për mediat ministri i Jashtëm suedez Tobias Billström, duke reaguar ndaj ftesës së Orban. “Prandaj, nuk shoh asnjë arsye për të zhvilluar negociata sot ,” shtoi ai.

Hungaria dhe Turqia janë të vetmet vende që nuk e kanë ratifikuar ende kërkesën suedeze për anëtarësimin e Suedisë në NATO. Megjithatë, të martën Asambleja Kombëtare e Turqisë fillon debatin për ratifikimin e kërkesës suedeze dhe, sipas raportimeve, asambleja pritet të miratojë protokollin e anëtarësimit të vendit nordik në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Në këtë rast, Hungaria do të mbetet i vetmi vend anëtar i NATO-s që do të pengojë anëtarësimin e Suedisë.