Një artikull përmbledhës i Zërit të Amerikës ku rendiste disa detaje të dosjes së prokurorisë amerikane kundër Charles Mcgonigal, ka zgjuar një fushatë reagimesh kryesisht të lidhura me Foltoren dhe mediat pranë saj.
Detaji që shfrytëzonte “Zëri i Amerikës” ishte fakti se meqenëse BIRN publikoi i pari më 22 Nëntor 2017 pagesat e lobimit të Lulzim Bashës, e meqenëse në këtë artikull nuk përmendeshin lidhjet ruse (sepse ato u denoncuan më vonë në Mother Jones) atëherë si ishte e mundur që më 25 Nëntor 2017, Dorian Duçka njoftoi Charles Mcgonigal dhe ky i fundit hapi më pas një hetim të FBI për këtë çështje bazuar në dyshimet për financimet ruse.
Ajo çfarë Zëri i Amerikës e paraqet si rebus dhe mister është në fakt një e dhënë elementare, në vitin 2017 ekzistonte Google, mjaftonte të fusje në Google emrin e “Binniata Trade” dhe dilnin të gjitha kompanitë e lidhura me të dhe sigurisht që dilnin dhe emrat e disa përfaqësuesëve me emra e mbiemra sllavë që janë punëtorë me mëditje të kompanive skoceze që emërojnë drejtorë fiktivë për të fshehur gjurmët e kompanive si Binniata.
Këto emra rusë gjendeshin nga kushdo që në 22 Nëntor 2017 do bënte kërkim në Google, kjo është e vërtetueshme katërcipërisht dhe sot pasi të dhënat janë ende aty me datën e origjinës.
Pra pyetjes së Zërit të Amerikës se ku e mësoi Mcgonigal valencën ruse, mund t’i përgjigjesh apriori “nga Google”, por sigurisht që shefi i FBI dhe rrjeti i tij mund të kenë patur dhe ditur shumë më shumë se kaq, përveç Google-s.
Hashtag.al që ditën kur u publikua artikulli në BIRN më 22 Nëntor 2017, ashtu dhe më pas kur “Mother Jones” akuzoi Bashën për lidhje ruse, ka goditur këto pretendime mbi Rusinë në mënyrë publike, sepse ishin absolutisht aludime dhe raportime jo-profesionale, që në mënyrë groteske ja vishnin pronësinë e kompanive tregtare juristëve me mëditje që përdoren si koperturë për të fshehur pronarët e vërtetë. Nuk ka rëndësi nëse këta juristë kanë mbiemra sllavë, amerikanë apo kinezë, ata janë për të mbushur letrat, janë askushi dhe ky spekulim ishte një turp i paparë.
Por grotesku vijoi me Zërin e Amerikës që dhe në vitin 2019 dhe në vitin 2021 raportonte mbi këtë problem duke theksuar dyshimet mbi implikimet ruse.
Kulmi u arrit në vitin 2022, ishte koha kur Berisha dhe Basha ishin ndarë me njëri-tjetrin egërsisht dhe Zëri i Amerikës publikoi një artikull “me burime” nga administrata amerikane, në të cilin thuhej se rusët paguan 500 mijë USD për të financuar një parti politike në Shqipëri.
Edhe në këtë rast Hashtag.al goditi ashpër dhe pa ekuivok raportimin spekulativ me burime që nuk dihej fare se nga vinin, por kësaj here grotesku arriti kulmin, sepse ndryshe nga më parë, Berisha dhe të vetët e mbështetën tezën e financimit rus, pasi kishin interes ta shqyenin Lulzim Bashën.
Ka prova e gjurmë pafund të kësaj palavie politike e mediatike që ndodhi bazuar te artikulli i Zërit të Amerikës, ndërsa Basha ishte shënjestra e një tjetër fushate që e implikonte pa prova me interesa gjasme ruse.
Sot, në vitin 2024, bazuar sërish në raportimet e Zërit të Amerikës, të njëjtët që sulmuan Bashën për financime ruse dy vite më parë, po denoncojnë stisjen e dosjes bazuar te detaji (i verifikueshëm me Google) që publikoi Zëri i Amerikës, pasi për dy vite ata vet i bënë gjyq publik Bashës duke e akuzuar për implikime ruse.
Këto janë oshilacione të forta që tregojnë se sa të destabilizuar janë në vijën e arsyetimit dhe në qëndrimin mbi këtë çështje krerët e Foltores dhe mediat pro tyre.
Hashtag.al fatmirësisht ka mbajtur të njëjtin qëndrim që në ditën ‘1’ për këtë çështje, duke raportuar problemet dhe evidencat mbi një operacion injektimi fondesh të paligjshme në SHBA drejt Nick Muzin, çka ishte e dhënë që justifikonte hetime për pastrim parash, por në asnjë mënyrë nuk ekzistonte asnjë e dhënë apo evidencë konkrete që lidhte këtë operacion financiar me ndonjë korridor rus, siç akuzuan në 2017/2018 mediat e Ramës dhe siç akuzuan në 2022-in mediat e Ramës dhe të Berishës.
Këto oshilacione që vijojnë dhe përsëriten dhe në 2024-ën, në fakt janë tregues se çorba që raportoi BIRN e më pas “Mother Jones” e që u amplifikuan me bujë nga Zëri i Amerikës përgjatë 5 viteve, kanë shërbyer dhe si një matës, si një letër lakmues që zbulon demencën në arsyetim dhe në qëndrim të atyre që mahniten sërish sot me shkrimin e radhës të Zërit të Amerikës.
Është një lloj letër-lakmuesi që zbulon dhe sklerozën e shumë prej kritikëve të sotshëm që bazohen të Zëri i Amerikës, sepse këta i kanë ende në internet shkrimet e vitit 2022 kur e bënin copa Bashën dhe e akuzonin për financime ruse, bazuar sërish te Zëri i Amerikës.
Në fakt Lulzim Basha ka bërë një gafë të pafalshme, një idiotësi stratosferike duke lënë gjurmë të forta transaksionesh të paligjshme për të siguruar një foto paçavure me Donald Trumpin në 2017-ën.
Kjo ishte një gafë dhe papjekuri që s’do mend që do shfrytëzohej nga kundërshtari i vet politik, apo dhe nga segmente të Departamentit të Shtetit që e denoncuan të parat nëpërmjet BIRN transaksionin e Bashës.
Por të paktën Basha ka mohuar kategorikisht dhe në mënyrë konseguente çdo lidhje të aluduar me rusët.
Ndërsa kundërshtarët e tij brenda partisë, dikur në 2017-ën e mbrojtën, në 2022-in e akuzuan dhe ata bashkë me Zërin e Amerikës për financime ruse, ndërsa sot në 2024-ën bazohen sërish te Zëri i Amerikës për të mohuar atë që vet kanë publikuar dhe kanë trumpetuar, lidhjet e supozuara ruse të Lulzim Bashës.
Mjafton renditja e këtyre fakteve në kohë për të kuptuar se Zëri i Amerikës së bashku me Foltoren dhe mediat rreth saj, me këto oshilacione arbitrare justifikohen më kollaj nëse vetëshpallen me sklerozë ose dement, sepse përndryshe kjo është provë e kulluar e një sharlatanizmi pa kufij. / Hashtag.al