Vendosni fjalën kyçe....

Veprimet e qeverisë së Kanadasë ndaj “Karvanit të Lirisë” “të pajustifikuara, të paarsyeshme” – Gjykata


Një gjykatë federale në Kanada ka vendosur se përdorimi i fuqive emergjente nga qeveria për t’i dhënë fund protestave antiqeveritare të Karvanit të Lirisë dy vjet më parë ishte “i paarsyeshëm” dhe “i pajustifikuar” e antikushtetuese.

Në një vendim të martën, gjykatësi Richard Mosley tha gjithashtu se ai shkeli statutin e të drejtave të Kanadasë.

Qeveria federale tha se do e apelojë vendimin.

Ligji për Emergjencat i jep qeverisë kompetenca të shtuara në kohë krize. Kryeministri Justin Trudeau e thirri atë më 14 shkurt 2022, tre javë pas protestave që bllokuan kryeqytetin.

I quajtur “Karvani i Lirisë”, protesta kundër mandatit të qeverisë për vaksinën Covid-19 fitoi vëmendjen ndërkombëtare ndërsa qindra demonstrues u vendosën për javë të tëra rreth Kodrës së Parlamentit të Otavës, shumë me kamionë.

Protestat dhe bllokada më të shkurtra u shfaqën gjithashtu në pika të ndryshme kufitare në të gjithë vendin.

Fuqitë e emergjencës lejuan qeverinë të vendosë ndalime për tubimet publike në disa zona dhe të ndalojë udhëtimin në zonat e protestës, duke përfshirë edhe shtetas të huaj, ndër masa të tjera.

Në vendimin e së martës, gjyqtari Mosely shkroi: “Kam arritur në përfundimin se vendimi për përdorimin e fuqive emergjente nga qeveria nuk mban shenjat dalluese të arsyeshmërisë – justifikimit, transparencës dhe kuptueshmërisë – dhe nuk ishte i justifikuar në lidhje me kufizimet përkatëse faktike dhe ligjore që kërkoheshin për të të merret në konsideratë”.

Gjyqtari Richard Mosley

Çështja gjyqësore u ngrit nga Shoqata Kanadeze për Liritë Civile dhe Fondacioni Kanadez i Kushtetutës.

Ata kishin argumentuar se protestat nuk plotësonin “pragun e lartë ligjor” të nevojshëm për të thirrur aktin, i cili po përdorej për herë të parë që kur u bë ligj në 1988.

Zëvendëskryeministrja Chrystia Freeland mbrojti veprimet e qeverisë të martën, duke argumentuar se vendi në atë kohë përballej me një kërcënim për sigurinë e tij kombëtare dhe ekonomike dhe masa ishte “mundësia e fundit”.

“Ne vepruam për të siguruar dhe mbrojtur Kanadanë dhe për të siguruar dhe mbrojtur interesat kombëtare,” u tha ajo gazetarëve në Montreal.

“Nuk ishte një kohë e lehtë, këto nuk ishin vendime të lehta”.