Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është shumë me rëndësi që të ndahet procesi i dialogut Kosovës – Serbi nga procesi i integrimit të Kosovës në BE.
Bislimi ka ripërsëritur qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti në Shkup të hënën, që tha se duhet ndarë këto dy procese.
Në konferencën e përbashkët me ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, ai u shpreh se është me rëndësi që BE-ja t’i heqë masat që ka vendosur ndaj Kosovës.
“Ne kemi ndarë shumë momente historike dhe suksese me qeverinë çeke. Më 15 dhjetor të vitit 2022, kryeministri Kurti në Pragë paraqiti aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Puna jonë me Republikën Çeke ka sjellë rezultate.
Për shkak të këtij bashkëpunimi të shkëlqyeshëm ne kemi ngritur bashkëpunimin në nivelin e ambasadorëve me të drejta të plotë. Ne po ashtu kemi biseduar për masat aktuale kundër Kosovës.
Pozita jonë është që masat duhet të hiqen, por më e rëndësishme është që procesi i dialogut të ndahet nga procesi i integrimit në BE”, ka thënë Bislimi.