Vendosni fjalën kyçe....

Dumani i prerë: Kemi pavarësi të plotë nga pushtetet e tjera


Kreu i SPAK-ut Altin Dumani tha nga Shkodra se struktura që drejton po mundohet të thyejë mitin e pandëshkueshmërisë.

Në një takim në “Universitetin Luigj Gurakuqi”, ai pohoi se prokuroria ka ndryshuar mënyrat e hetimit dhe se ka investuar në teknologji për të qenë sa më efikase.

Dumani theksoi gjithashtu se SPAK ka pavarësi të plotë nga pushtetet e tjera dhe se nuk kontrollohet prej tyre.

“Për të folur për suksese duhet të presim edhe vendimet e formës së prerë të gjykatës. Çcdo ditë hetojmë dhe presim vendime fajësie nga gjykatat. Është punë e përditshme, stresuese, e lodhshme, por në fund të ditës kur shikon që po mundohemi të thyejmë atë mitin e pandëshkueshmërisë, atëherë ndjehesh mirë. Është e lodhshme por jo e pamundur. Kjo është bërë falë edhe ndryshimit të metodologjisë së punës në prokurorinë e posaçme. Disa metoda që përdoren tani janë përdorur rrallë dhe tani përdoren masivisht si mjete të kërkimit të provës. Kemi investuar shumë edhe në teknologji. Duhet edhe një buxhet i mirë dhe deri tani jemi financuar mirë nga buxheti i shtetit por po përdorim edhe të pasuritë e konfiskuara nga krimi që kapin miliona euro. Jua them me siguri se kemi pavarësi totale nga pushtetet e tjera. Nuk kemi marrëdhënie kontrolluese nga institucionet e tjera.”­ – tha ndër të tjera Dumani.

Deklarata e Dumanit vjen një ditë pas lajmit se shumica e Edi Ramës nuk e përjashtoi mundësinë e ngritjes së një komisioni për të kontrolluar organet e drejtësisë.