Vendosni fjalën kyçe....

“Kriset” UEFA, dorëhiqet Boban: Ceferin po ndryshon statutin, do një mandat të katërt


Zvonimir Boban, një ndihmës i rëndësishëm dhe i besuar prej kohësh i presidentit të fuqishëm të organit qeverisës të futbollit evropian UEFA, dha dorëheqjen papritur të mërkurën, një largim që shfaqi një përçarje të thellë brenda udhëheqjes së një prej organizatave më të pasura sportive në botë.

Kroati u largua lidhur me një propozim për të ndryshuar statutin e organizatës, që do lejonte presidentin, Aleksander Ceferin, të qëndronte në pushtet përtej një mandati të tretë.

Rregulli që presidenti dhe anëtarët e komitetit ekzekutiv mund të shërbejnë për një maksimum prej 12 vjetësh u prezantua në 2017 nga Ceferin si pjesë e një pakete reformash. Boban beson se slloveni synon të kandidojë përsëri kur të përfundojë mandati i tij i tretë në vitin 2027.

Boban, një ish-mesfushor i Milanit dhe Kroacisë, shkroi një letër të hapur, të publikuar në gazetën kroate Telegram të enjten, duke thënë: “Kam biseduar me presidentin e UEFA-s për një problem që ndodhi gjatë takimit të fundit të komitetit ekzekutiv në Hamburg për sa i përket propozimit për të ndryshuar statutin e UEFA-s që do i mundësonte një tjetër kandidim Ceferinit pas mbarimit të mandatit të tij përfundimtar. Pasi shpreha shqetësimin tim më të thellë dhe mospajtimin e plotë me vetë propozimin, presidenti u përgjigj se ai nuk sheh asnjë problem ligjor apo moral e etik në të dhe se ai, pa asnjë dyshim, do ecë para me këtë ide që më duket fatale.”

Boban, i cili iu bashkua UEFA-s në vitin 2021, shtoi: “Unë e kuptoj plotësisht se asgjë nuk është ideale. E di gjithashtu që shumë herë duhet të pranojmë një logjikë kompromisi, por nëse do të pranoja një vendim kaq të vështirë dhe kaq të gabuar, do shkoja kundër parimeve dhe vlerave të përgjithshme në të cilat besoj thellë. Unë nuk pretendoj të jem ndonjë hero dhe e di që shumë të tjerë kanë të njëjtin mendim si unë. Ndoshta është naive, por sigurisht e saktë. Gjatë këtyre tre viteve marrëdhënia dhe bashkëpunimi im me Aleksandrin dhe të gjithë kolegët e mi në Uefa ishte i shkëlqyer. Do doja t’i falënderoja për këtë dhe t’u uroj atyre gjithë të mirat. Më vjen keq dhe jam i trishtuar, por po largohem nga Uefa.”

UEFA lëshoi ​​një deklaratë duke thënë: “UEFA dëshiron të njoftojë largimin e Zvonimir Boban nga organizata me marrëveshje të përbashkët. Boban iu bashkua organizatës në vitin 2021 si shef i futbollit dhe nisi disa projekte të rëndësishme në zhvillimin teknik, duke përfshirë themelimin e bordit të futbollit UEFA dhe forumin e futbollit të të rinjve.”

Ajo hodhi poshtë shqetësimet në lidhje me ndryshimet në një deklaratë, duke thënë: “Ndryshimi i propozuar është thjesht të qartësojë pozicionin e vendosur në statute në lidhje me ruajtjen e parimit të pranuar ligjor që retroaktiviteti nuk duhet të zbatohet”.

Ceferin tha në një intervistë me Daily Telegraph këtë javë se ai ende nuk kishte vendosur nëse do kandidonte për një mandat tjetër.

“Të jem i sinqertë, jam shumë i lodhur,” tha ai.

Ceferin mori vendin e Michel Platini pas largimit të tij nga detyra.

Boban kritikoi më parë idenë e FIFA-s për të organizuar Kupën e Botës çdo dy vjet, duke thënë për Gazzetta dello Sport: “Do ishte keq për lojtarët, ligat, klubet si dhe për futbollin. Nuk respekton askënd. Do shkatërronte institucionet e futbollit së bashku me piramidën e futbollit që u ndërtua falë punës disa dekadash. UEFA nuk do e propozonte kurrë një Evropian çdo dy vjet edhe nëse kjo do të thoshte më shumë para.”

Boban ka qenë ndër mesfushorët më të mirë të  brezit së tij, duke luajtur ndërkombëtarisht fillimisht për Jugosllavinë dhe më pas për Kroacinë, me të cilën përfundoi i treti në Kupën e Botës 1998.

Ai luajti vetëm për katër klube gjatë karrierës së tij të gjatë dhe të shquar ku mund të përmenden Dinamo Zagreb dhe Milan, duke fituar katër tituj të Serie A dhe një Champions League me skuadrën italiane.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Guardian

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani