Jamarbër Malltezi akuzoi kryeministrin Rama e SPAK-un teksa tha se nuk ka asnjë provë ndaj tij lidhur e privatizimin e ish-klubit Partizani.
Ai i quajti prokurorët shërbëtorë të Edi Ramës që po burgosin njerëz edhe pse nuk ka dëm ndaj shtetit, por e bëjnë këtë gjë thjesht për shfaqje.
Malltezi shtoi se toka nuk i është dhënë atij, por është marrë nga 100 familjet pronare tiranase.
Ai tha gjithashtu se Taulant Balla ka bërë kallëzim të rremë dhe se Edi Rama ka shkelur ligjin duke i shkaktuar dëm shtetit.
“Lolot e Ramës i kërkojnë llogari si iu kthye prona 100 familjeve. Pronarët u desh të paguajnë jo vetëm objektet e shkatërruara, po edhe për uzurpatorët, ndërkohë Bolino vjedh shkollat e kalamajve. Edi Rama nxjerr katër VKM për Bolinon. Çështja është nisur nga kallëzimi i rremë i Taulant Ballës. U vërtetua se toka ishte e pronarëve familje tiranase. Klubi Partizani nuk iu kthye Malltezit por 100 familjeve pronare. Në këtë çështje edhe vetë SPAK-u e pranon që s’ka dëm. Pra po bëjnë hetime kur s’ka dëm. Po arrestojnë, burgosin njerëz me shfaqje kur nuk ka dëm. Shteti ka përfituar 800 mijë dollarë nga privatizimi i objekteve të rrënuara. Ka rezultuar që Taulant Balla ka bërë kallëzim të rremë. Vepër penale e dënueshme sipas nenit 305 të Kodit Penal. Ka rezultuar se Edi Rama ka bërë shkelje, dëm mbi 330 mijë euro. Edi Rama është mbi ligjin, larot i lëpihen.” – tha Malltezi.