Vendosni fjalën kyçe....

Pas Turqisë, Hungaria pranon anëtarësimin e Suedisë në NATO


Qeveria hungareze është në favor të anëtarësimit të Suedisë në NATO dhe së shpejti do e ratifikojë në parlament, njoftoi të mërkurën kryeministri Viktor Orban.

Masa do lejojë Stokholmin të bëhet anëtar i bllokut ushtarak të udhëhequr nga SHBA-ja pas gati dy vitesh vonesa.

Suedia aplikoi për t’u anëtarësuar në NATO në maj 2022, duke përmendur konfliktin Rusi-Ukrainë, por hasi në kundërshtime nga Turqia dhe Hungaria për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me të dy shtetet. Rregullat e bllokut kërkojnë pëlqimin e njëzëshëm përpara se ai të pranojë shtete të reja anëtare.

“Sapo përfundova një telefonatë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg,” tha Orban në X.

“Ripohova se qeveria hungareze mbështet anëtarësimin e Suedisë në NATO. Theksova gjithashtu se ne do vijojmë të nxisim Asamblenë Kombëtare të Hungarisë që të votojë në favor të pranimit të Suedisë dhe të përfundojë ratifikimin në rastin e parë të mundshëm.”

Budapesti ka akuzuar Stokholmin se ka thënë “gënjeshtra flagrante” për demokracinë hungareze si pjesë e një mosmarrëveshjeje të vijueshme brenda BE-së.

Ligjvënësit turq votuan për të miratuar anëtarësimin e Suedisë të martën, duke dërguar projektligjin e ratifikimit në tryezën e Presidentit Erdogan. Ankaraja kishte mosmarrëveshje serioze me Stokholmin për të drejtat e njeriut, terrorizmin dhe tregtinë e armëve.

Si Suedia ashtu edhe Finlanda braktisën politikën e tyre të gjatë të asnjanësisë pasi Rusia nisi operacionin e saj ushtarak në Ukrainë, duke e përmendur atë si një kërcënim për sigurinë e tyre. Kur Finlanda u bashkua zyrtarisht me bllokun në prill 2023, NATO-ja dyfishoi gjatësinë e kufirit të saj me Rusinë.

Moska deklaroi se nuk kishte asnjë problem me asnjërin vend deri atëherë, por do të duhej të reagonte nëse ata anëtarësoheshin në NATO. Rusia ka këmbëngulur se zgjerimi i bllokut drejt lindjes, i cili filloi në vitin 1999, është një kërcënim për sigurinë kombëtare ruse dhe një nga shkaqet kryesore të konfliktit të Ukrainës.