Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pranuar pjesërisht kërkesën e studentëve të mjekësisë për rishikimin e ligjit të propozuar nga qeveria për punësim me detyrim për një periudhë kohe në Shqipëri pas mbarimit të studimeve, ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku.
Deputetja thotë se me vendimin e sotëm u dëshmua vërtetësia dhe sinqeritet i kauzës si dhe se institucionet janë një shans për demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Sipas Tabakut një dëshmi nga vendimi është se si opozita i shërben qytetarëve jo vetëm duke denoncuar por edhe duke punuar për to.
“Kur politika është në shërbim të qytetarëve! Një grup studentësh patën vizionin, vendosmërinë dhe besimin për ta çuar betejën e tyre në institucione. Patën besimin se së bashku me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike do të mund të zhbënin nismën antikushtetuese të ndërmarrë nga qeveria.
Sot, padia e dorëzuar në GJK nga palët dëshmoi vërtetësinë dhe sinqeritetin e kauzës. Dëshmoi se institucionet janë një shans për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Shfuqizimi i detyrimit për studentët e mjekësisë të qëndrojnë në Shqipëri për 5 vite pas përfundimit të shkollës është fitorja e studentëve.
Por, njëkohësisht dhe një dëshmi se si politika mund t’i shërbejë qytetarëve. Një provë e fortë se si opozita është në shërbimin e qytetarëve jo vetëm duke denoncuar por edhe duke punuar për to.
E gjitha kjo mund të arrihet përmes institucioneve, forcës së argumentit dhe vërtetësisë së bindjeve se bashkë mund t’ia dalim”-shkruan Tabaku.