Kremlini ka akuzuar sërish Ukrainën për rrëzimin e një avioni ushtarak rus, që tha se po bartte 65 ushtarë ukrainas të kapur gjatë luftës. Ata, më 24 janar po transportoheshin me avion për këmbim të burgosurish. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të këtij rasti.
Avioni u rrëzua në rajonin e Belgorodit pranë kufirit me Ukrainën.
Rrëzimin e aeroplanit transportues ushtarak, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti “akt monstruoz”, megjithëse Moska ende nuk ka treguar ndonjë provë se ai u rrëzua nga një raketë ukrainase apo që ushtarët ukrainas ishin në bord.
Derisa nuk tha se kush e rrëzoi avionin, Zelensky tha se “duhet të vërtetohen të gjitha faktet… shteti ynë do të insistojë për një hetim ndërkombëtar”.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se këmbimi i të burgosurve ishte planifikuar të bëhej më 24 janar dhe Rusia nuk e kishte informuar Ukrainën se të burgosurit ukrainas do të fluturonin me aeroplanë mallrash.
Drejtoria kryesore e inteligjencës e Ukrainës tha se nuk ka “informacion të besueshëm dhe gjithëpërfshirës” se kush ishte në bordin e avionit por tha se të burgosurit rusë, për të cilët ishte përgjegjëse, “u dorëzuan në kohë në pikën e këmbimit të kushtëzuar, ku ata ishin të sigurt”.
Një deklaratë e inteligjencës ushtarake ukrainase, në Facebook, tha se Kievit nuk i ishte kërkuar të garantonte sigurinë e hapësirës ajrore rreth zonës së Belgorodit, siç ishte rasti gjatë këmbimeve të mëparshme të të burgosurve të luftës.
Ajo tha se akuzat e Rusisë se Kievi rrëzoi avionin e transportit mund të jenë “një veprim i planifikuar për të destabilizuar situatën në Ukrainë dhe për të dobësuar mbështetjen ndërkombëtare për shtetin tonë”.
Rusia bëri thirrje për një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 25 janar për të diskutuar rreth rrëzimit të avionit, të cilin ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e quajti një akt “kriminal” nga Ukraina.
Zyrtarët rusë thanë se avioni po bartte 65 ushtarë ukrainas, gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe tre shoqërues.
Radio Evropa e Lirë e ka siguruar një listë të gjashtë anëtarëve të ekuipazhit, që supozohej të ishin në fluturim. Vdekjen e tre anëtarëve të ekuipazhit e kanë konfirmuar për REL-in të afërmit e tyre.
Një video në mediat sociale tregonte një aeroplan që po rrëzohej në tokë, i ndjekur nga një zhurmë e fortë dhe një shpërthim që drejt qiellit dërgoi flakë dhe një shtëllungë tymi.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL