Kristjan Asllani do të luajë për herë të parë si titullar në Serinë A në këtë sezon me fanellën e Interit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare do të marrë vendin e Çalhanollu të skualifikuar në mesfushën e Interit dhe do të jetë ai që do të diktojë ritmin e lojës së zikaltërve.
Për mesfushorin nuk do të jetë një detyrë e thjeshtë ndaj një skuadre që synon praninë në Champions në edicionin e ardhshëm. Për këtë arsye, Inzagi ka menduar që një futbollist tjetër brenda grupit zikaltër, ta ndihmojë në fushë gjatë sfidës.
“Corriere Dello Sport” bën të ditur se trajneri zikaltër i ka dhënë udhëzime Henrik Mkhitarjan që t’ia lehtësojë sa më shumë punën Asllanit në këtë duel. Tekniku i ka bërë të qartë armenit, ashtu si edhe Fratezit më pas, që të kërkojnë sa më shumë kombinimin në fushë me Asllanin, në mënyrë që t’i japin këtij të fundit lirshmëri veprimi që të mos ndjehet nën presion nga kundërshtarët.
Te Interi kanë besim te aftësitë e mesfushorit shqiptar dhe ndeshja ndaj Fiorentinës do të jetë ajo që do të tregojë se sa progres ka bërë duke u stërvitur pranë kampionëve që ka në radhët e zikaltërve.