Vendosni fjalën kyçe....

Hetimet për inceneratorin e Tiranës, agjentët e BKH-së kontrolle në zyrën dhe banesën e drejtoreshës në Bashki


Prokuroria e ka urdhëruar kontroll në banesat e disa drejtorëve të Bashkisë së Tiranës mes të cilave edhe banesën e drejtoreshës së investimeve pranë Drejtorisë së Punëve Publike, Ilda Qazimllari, shkruan BW.

Kontrollet janë kryer ditën e djeshme e gjatë tyre janë marrë kompjutera, dokumente dhe materiale të tjera në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës.

Në lidhje me këtë çështje hetimore, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan edhe sot në zyrat e Drejtorisë se Punëve Publike që ndodhen në afërsi të ‘Rrugës së Durrësit’ ku ushtruan kontroll, duke marrë prej andej kompjuterë dhe duke sekuestruar dosje të ndryshme.

Mbrëmjen e kaluar, është ushtruar kontroll edhe në banesat e tre drejtorëve të kësaj drejtorie, mes tyre edhe drejtoreshës së investimeve publike pranë Bashkisë së Tiranës, zonjës Ilda Qazimllari.

Lidhur me inceneratorin e Tiranës, pak kohë më parë është arrestuar drejtori në bashki, Taulant Tushe.

Në burg në pritje të përfundimit të hetimeve janë ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish -Drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tushe, Namik Simixhiu, Bledar Karoli ndërsa në arrest shtëpie janë lënë Alba Thoma, Silena Tola, Sidrita Kopliku e Pëllumb Abeshi.