Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna me armë në Gjermani, policia sqaron ngjarjen


Një pengmarrje ka ndodhur në qytetin Ulm të Gjermanisë. Sipas mediave lokale, një person ende i paidentifikuar mendohet se mban peng 4 persona.

Pengmarrja raportohet se ka ndodhur në një kafenë, ndërsa është raportuar se janë dëgjuar edhe 4 të shtëna me armë zjarri.

Pas te shtënave njerëzit u shpërndanë në panik, ndërsa oficerët e policisë bërtisnin: “Largohuni të gjithë nga këtu! Nuk dihet se kush qëlloi”.

Ndërkohë policia në një deklaratë zyrtare tha se “rreth orës 18:45 ka ndodhur një pengmarrje në një dyqan në Münsterplatz. Në orën 20:20, autori i armatosur doli nga ndërtesa me një peng dhe u largua. Policia përdori armë zjarri. Autori u arrestua. Pengu mbeti i padëmtuar”.

Nuk është ende e qartë sesa persona ishin marrë peng, por fillimisht u raportua për 4.

“Një operacion policor është duke u zhvilluar aktualisht në Ulm. Münsterplatz verior është i rrethuar. Shmangni zonën sa më shumë që të jetë e mundur”, tha policia në një reagim në rrjetet sociale.