Dhjetëra blegtorë të zonave jugore të vendit protestuan sot.
Ata u mblodhën në rrugën Kardhiq-Delvinë duke bllokuar rrugën deri te Ura e Kardhiqit.
Blegtorët kërkuan zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me çmimet e prodhimeve, subvencionet e pakta e kufizimi i kullotave.
”Më kanë detyruar të hap katër numra Nipti pasi nuk mbështesin më shumë se 300 dhen. Kërkoj të më subvencionojnë për 1000 krerët që kam. Unë i kam shkëputur dhentë që në dhjetor dhe akoma s’ma kanë dhënë çmimin baxhot. Ata shesin djath përditë dhe kanë çmim për shitjen vetëm ne nuk kemi se jemi pa zot.” – tha njëri nga fermerët.
Ndërsa një tjetër tha se nuk kanë kullota ndërsa theksoi se po luhen interesa që kërkojnë të zhdukin blegtorinë në vend.
” S’kemi kullota, asnjë lloj kushti. Këtu luhet një lojë që të zhduket blegtoria e vendit e të mos ngelet këmbë blegtori. Ne kemi katër pika që ia drejtojmë Ministrisë së Bujqësisë. Pika e parë, çmimi tavan i qumështit, së dyti subvencionet, së treti kullotat dhe së katërti veprat ujore.“ – tha një tjetër blegtor.
Kohët e fundit ka pasur një ulje të çmimit të qumështit të deles nga160 lekë litri në `120 lekë dhe kjo sipas blegtorëve ka shkaktuar dëme të mëdha duke i detyruar të ulin numrin e bagëtive dhe braktisjen e sektorit. Ata thanë gjithashtu se nuk do i ndalin protestat e do i përshkallëzojnë nëse s’marrin zgjidhje.
Ditët e fundit blegtorët e fermerët në jug të vendit kanë zhvilluar protesta. Protestat e tyre vijnë teksa fermerët në Francë, Gjermani, Holandë e Rumani protestojnë prej disa ditësh radhazi duke bllokuar autostradat.