Vendosni fjalën kyçe....

“Sundimi i ligjit”, transportoi 11 emigrantë të paligjshëm, arrestohet 31-vjeçari në Fier


Vijon megaoperacioni kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të operacioneve të mëparshme të Policisë. Bashkëpunëtor për transportimin e 11 emigrantëve (rast i goditur nga Policia, më datë 4 janar), lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe ata të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier, si rezultat i kontrolleve të kryera në bazë të informacioneve nga inteligjenca policore dhe në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, kapën dhe ndaluan shtetasin A. T., 31 vjeç, banues në Fier.

31-vjeçari ishte shpallur në kërkim gjatë operacionit policor të koduar “Tranzit”, pasi dyshohet se më datë 04.01.2024, ka bashkëpunuar me shtetasit L. M., K. M. dhe E. M. (të tre, ende në kërkim), për të transportuar kundrejt pagesave, 11 emigrantë nga Vendet e Treta, në mënyrë që ata të kalonin kufirin, në kundërshtim me ligjin”, njofton policia.