Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja godet militantët Houthi pasi raketat e tyre vunë në shënjestër luftanijen amerikane


Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara tha herët të shtunën se forcat e saj kishin eliminuar një raketë në territorin e kontrolluar nga grupi terrorist Houthi. Zyrtarët amerikanë thanë se militantët e kishin bërë gati raketën për të qëlluar në Detin e Kuq.

Në një postim në rrjetin X, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) shkruante se forcat amerikane e shkatërruan raketën në zonën e kontrolluar nga militantët Houthi në Jemen pasi përbënte një kërcënim të menjëhershëm për anijet tregtare dhe të marinës amerikane në rajon.

Të premten, luftanija“USS Carney” u vu në shënjestër nga një raketë e lëshuar nga militantët Houthi ndërsa patrullonte në Gjirin e Adenit. Sulmi shënoi rastin e parë që një anije luftarake amerikane bëhet objektiv i organizatës terroriste me qendër në Jemen. Destrojeri amerikan e eliminoi kërcënimin.

Anija cisternë “Marlin Luanda” u godit nga një raketë të premten në mbrëmje, duke shkaktuar një zjarr në bord.. Zëdhënësi ushtarak i lëvizjes Houthi, Yahya Sarea, tha se rebelët përdorën “një numër raketash të përshtatshme detare dhe se sulmi ishte i drejtpërdrejtë”.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) njoftoi se cisterna britanike e transportit të naftës njoftoi për sulmin dhe se kishte pësuar dëme. Destrojeri amerikan “USS Carney” dhe anije të tjera reaguan për të ndihmuar anijen britanike. Deri tani nuk ka njoftime për të lënduar, sipas CENTCOM, që mbikëqyr forcat amerikane në Lindjen e Mesme.

Po të premten, një anije cisternë që lundronte nën flamurin e Panamasë, e lidhur me Indinë, njoftoi se dy raketa kishin goditur në ujërat pranë saj në Detin e Kuq, afër Jemenit. Nuk ka njoftime për dëmtime apo të lënduar.

Sulmet e së premtes vijnë pas një jave që kur Britania dhe Shtetet e Bashkuara filluan një raund të ri goditjesh kundër militantëve në Jemen të mbështetur nga Irani. Ushtria amerikane tha se sulmet goditën qendrat e radarëve dhe të lëshimit të raketave, dhe më e rëndësishmja, një strukturë nëntokësore për magazinimin e armëve.

Që nga nëntori, lëvizja Houthi ka sulmuar anijet tregtare dhe ushtarake që lundrojnë në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit. Ata thonë se i nisën sulmet në mbështetje të palestinezëve që janë të përfshirë në një konflikt me Izraelin. SHBA-të thonë se lëvizja Houthi ka ndërprerë zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar dhe sulmet e tyre kanë shkelur të drejtat dhe liritë e lundrimit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VOA