Vendosni fjalën kyçe....

Borxhi mund të shkatërrojë ekonominë amerikane – Kreu i JP Morgan


Ekonomia amerikane po shkon drejt katastrofës pasi borxhi i madh kombëtar vazhdon të rritet, tha kreu i JPMorgan, Jamie Dimon, në një intervistë me Fox News në fillim të kësaj jave.

Sipas shefit ekzekutiv të bankës më të madhe të vendit, gjendja duhet të trajtohet urgjentisht nga qeveria përpara se të shkaktojë një krizë të madhe ekonomike.

“Është një ajsberg, ne e shohim atë,” tha Dimon.

“Kanë kaluar rreth 10 vjet, ne po shkojmë me 100 kilometra në orë drejt tij.”

Drejtuesi i lartë u pajtua me pikëpamjen e ish-kryetarit të Kongresit, Paul Ryan, i cili e ka quajtur borxhin “kriza më e parashikueshme që kemi pasur ndonjëherë”. Paralajmërimet u lëshuan nga Ryan dhe Dimon gjatë një paneli diskutimi në Qendrën e Politikave Bipartizane të premten.

Borxhi federal i qeverisë amerikane arriti në 34 trilionë dollarë për herë të parë në histori në fund të dhjetorit. Tani arrin në rreth 102,000 dollarë për një familje mesatare amerikane me tre persona. Vetëm në vitin 2023, ai u rrit me më shumë se 4 trilionë dollarë.

Borxhi i përgjithshëm publik i SHBA-së është afërsisht i barabartë me ekonomitë e Kinës, Gjermanisë, Japonisë, Indisë dhe Mbretërisë së Bashkuar së bashku, siç theksohet nga Fondacioni “Peter G. Peterson”, një grup jopartiak i politikave fiskale në Nju Jork.

Në fillim të kësaj jave, Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha se niveli absolut i borxhit publik amerikan duket si “një numër i frikshëm”.

“Deri më tani, borxhi publik ka qenë mjaft i menaxhueshëm,” tha ajo, duke bërë thirrje për hapa “për t’u siguruar që deficitet tona të ulen dhe të mbeten në nivele të menaxhueshme”.

Shuma e madhe përbëhet nga ajo që qeveria federale u detyrohet kreditorëve, duke përfshirë individë, si qytetarët dhe investitorët e huaj, si dhe shtetet ose fonde të mëdha. Uashingtoni vazhdon të marrë hua para për të mbuluar një deficit buxhetor që ka më shumë se 20 vjet.