Dubai pritet të shtojë një tjetër figurë madhështore në horizontin e tij. Kulla “Aeternitas”, e prezantuar zyrtarisht në një ceremoni javën e kaluar, do jetë kulla e orës më e lartë rezidenciale në botë me një lartësi marramendëse 450 metra, katër herë më e lartë se “Big Ben” e Londrës dhe vetëm 22 metra më pak nga ndërtesa më e lartë e banimit në botë, Kulla e Central Park në New York City.
E vendosur të bëhet kulla e dytë më e lartë me orë në botë (pas Kullës Mbretërore të Sahatit të Mekës, në Arabi Saudite), “Aeternitas” është rezultat i një partneriteti midis zhvilluesit të pasurive të paluajtshme me bazë në Dubai, “London Gate” dhe prodhuesit zviceran të orëve luksoze “Franck Müller”.
“London Gate” bleu parcelën e tokës në Dubai Marina, e cila tashmë kishte fillimet e një strukture të papërfunduar 106-katëshe dhe e dinte se madhësia monumentale e kullës kishte nevojë për një fasadë të mrekullueshme, tha Tom Hill, bashkërendues i marrëdhënieve me median për zhvilluesin.
“Ne besojmë se ora do shihet nga gjashtë kilometra larg për shkak të lartësisë së madhe të ndërtesës,”s tha Hill, duke shtuar se faqja e orës do të jetë 40 metra e lartë dhe 30 metra e gjerë.
“Ne donim të bënim diçka ndryshe që nuk është bërë më parë në Dubai,” tha Hill.
Kulla e banimit përbëhet nga 649 njësi, me një përzierje apartamentesh me një deri në tre dhoma gjumi, përveç vilave dhe rezidencave.
Brenda saj do jetë objektet shëndetësore, duke përfshirë një palestër, fushë padel, SPA, studio joga dhe pishinë, deri te hapësirat e artit dhe kulturës si kinema, dhomë muzike dhe bibliotekë.
Projekti do t’u dorëzohet banorëve në vitin 2027, sipas London Gate.
Emri i kullës do të thotë “përjetësi” në latinisht dhe është frymëzuar nga koleksioni i orëve “Franck Muller” Aeternitas, një nga modelet më të ndërlikuara të markës që përmban një “kalendar të përjetshëm”, tha Erol Baliyan, drejtor menaxhues i “Franck Muller” në Lindjen e Mesme dhe Afrika.