Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli shumë pranë luftës me Libanin


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është i përgatitur të nisë një luftë të plotë kundër grupit të armatosur pro-palestinez Hezbollah në Liban, raportoi media libaneze LBCI të shtunën.

Hezbollahu ka qëlluar me raketa dhe predha mortajash në pozicionet izraelite që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në Gaza. Bombardimet kanë shkaktuar sulme hakmarrëse nga ushtria izraelite.

Sipas LBCI, një raport i inteligjencës mbi planet e Izraelit i është dhënë Hezbollahut nga një vend arab pa emër.

Fushata e mundshme e IDF-së do synojë të detyrojë militantët të respektojnë Rezolutën e Sigurisë 1701 të OKB-së, e cila u miratua pas përfundimit të luftës së fundit Izrael-Liban në 2006, tha kanali televiziv. Dokumenti i OKB-së lehtësoi krijimin e një zone të çmilitarizuar përgjatë kufirit izraelito-libanez.

Gjendja u përshkallëzua më tej këtë muaj pasi një sulm izraelit vrau nënkryetarin e Hamasit, Saleh al-Arouri në Bejrut.

Javën e kaluar, shefi i Shtabit të Izraelit, Gjenerallejtënant Herzi Halevi tha se mundësia e një lufte me Bejrutin ishte “shumë më e lartë se në të kaluarën”.

Ai shtoi se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) ishin në një gjendje “gatishmërie në rritje” për sulme ndërkufitare.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm libanez, Abdallah Bou Habib, tha se përfshirja e vendeve të tjera në luftimet Izrael-Hamas do ishte “e papranueshme”.

Ai gjithashtu paralajmëroi se një luftë me Libanin nuk do të ishte “një piknik” për Izraelin. Deputeti i Hezbollahut, Hassan Ezzedine, tha në mënyrë të ngjashme se militantët “do luftonin dy herë më fort dhe do t’i jepnin goditje armikut”.

Në fillim të këtij muaji, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken udhëtoi në Lindjen e Mesme për të provuar të parandalonte një luftë të plotë midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Sipas Washington Post, zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të dëshirojë të sulmojë fqinjin verior të Izraelit mes kritikave në rritje për dështimin e qeverisë së tij për të parandaluar sulmiin e Hamasit më 7 tetor, i cili la rreth 1200 njerëz të vdekur.

Raporti sugjeroi gjithashtu se IDF-ja do e kishte “të vështirë të kishte sukses” në një luftë me dy fronte kundër Hamasit dhe Hezbollahut.