Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të dielën, më 28 janar, pritet të votojë Qeverinë teknike e cila do të drejtohet nga ish-kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi në postin e kryeministrit pason Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqje bazuar në Ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që në 100 ditë para zgjedhjeve të zgjidhet një Qeveri teknike, e cila ka mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj, së bashku me zgjedhjet presidenciale.
Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale. Në ekzekutivin teknik, kjo parti do të ketë edhe tri zëvendëskryeministra, me kompetenca të veçanta.
Ndryshime në postet e tjera ministrore nuk do të ketë. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëheqin ministritë që aktualisht kanë nën drejtim.
Xhaferi në postin e kryeministrit teknik është caktuar nga BDI-ja, e cila seancën plenare të 28 janarit e ka cilësuar si “ditë historike”.
“Të dielën, 28 janar zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq dhe për maqedonasit, sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet. Bashkërisht po ndërmarrim përgjegjësinë për t’i prirë vendit jo njëri pas tjetrit, por krahë për krahë për një Maqedoni evropiane”, tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në një mesazh drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
“Kryeministri shqiptar” ishte premtuar nga kryetar i BDI-së në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat u fituan nga Lidhja Social Demokrate, dhe për rrjedhojë kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.
Por, në marrëveshjen për formimin e Qeverisë në vitin 2020, Ahmeti dhe Zaev ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të mandatit, Qeveria teknike të drejtohej nga një kuadër i propozuar nga BDI-ja.
Ndërkaq, VMRO-ja, edhe pse do të jetë pjesë e Qeverisë, tha se në aktin e votimit do të jetë e përmbajtur.
Nga kjo parti maqedonase thanë se nuk mund të votojnë Talatin Xhaferin për kryeministër, “për shkak të shkeljeve të shumta që ka bërë derisa ishte kryetar i Kuvendit”.
“Ai është njeriu i cili nga fillimi i tij e deri tani në fund si kryetar i Kuvendit ka bërë shumë veprime kundërkushtetuese dhe kundërligjore, pavarësisht se të gjitha iniciativat e ngritura u rrëzuan nëpër gjykatat dhe prokuroritë e kurdisura. Por, një ditë kur ato institucione do të lirohen nga prangat politike, do të ketë përgjegjësi për çdonjërin që ka shkelur ligjet”, është shprehur drejtuesi i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit është shprehur edhe opozita shqiptare, e bashkuar në Lidhjen Evropiane për Ndryshim.
Edhe ajo akuzon Xhaferin për “shkelje të shumta” gjatë punës në cilësinë e kryetarit të Kuvendit maqedonas.
“Talat Xhaferi është zgjedhja më e keqe që ka mund të ofrojë BDI-ja. Pas 20 vjetësh në Qeveri, BDI-së në pozita të larta i kanë mbetur njerëzit më të korruptuar dhe njerëzit që më së shumti i kanë bërë dëm çështjes shqiptare. Derisa ishte në krye të Kuvendit, [Xhaferi] ka udhëhequr vetëm politika të partisë së tij dhe jo ato që ishin në interes të qytetarëve”, tha Bilall Kasami, përfaqësues i Lidhjes Evropiane për Ndryshim.
Për Qeverinë teknike duhet të votojnë gjysma e deputetëve apo 61 nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Edhe pa votat e VMRO DPMNE-së, shumica aktuale ka numrin e nevojshëm për të miratuar Qeverinë e re.
Votimi i Qeverisë teknike duhet të bëhet më së voni deri të dielën në mesnatë.