Makinat që ndryshojnë ngjyrën janë bërë befas me shpejtësi diçka e mundur dhe së shpejti mund t’i shihni në rrugë.
Si funksionojnë makinat që ndryshojnë ngjyrën?
Makina e parë që ndryshon ngjyrën që u zbulua për publikun ishte BMW iX Flow, që bëri debutimin në CES 2022 në Las Vegas.
E quajtur si “makina e parë në botë që ndryshon ngjyrën”, mjeti i lejon përdoruesit të ndërrojnë ngjyrën e jashtme të makinës mes të zezës, të bardhës ose një përzierje nuancash vetëm me shtypjen e një butoni. Ideja ishte që shoferët mund të zgjidhnin të bardhën në ditët e nxehta për të pasqyruar energjinë e diellit dhe të zezën në ato të ftohta për ta thithur atë.
Ajo funksionon duke përdorur teknologjinë Electronic Paper Display (EPD). Makina është e veshur me një film elektroforetik që përmban miliona mikrokapsula, jo më të gjera se një fije floku njeriu. Çdo kapsulë përmban pigmente të bardha të ngarkuara negativisht dhe pigmente të zeza të ngarkuara pozitivisht që bëhen të dukshme vetëm kur fusha e duhur elektrike kalon nëpër të.
Ligjet për ndryshimin e ngjyrave të makinave
Ligjet dhe rregulloret mund të jenë një pengesë e mundshme për makinat që ndryshojnë ngjyrën të dalin në treg. Deri tani, nuk ka ligje në lidhje me automjetet që mund të ndryshojnë menjëherë ngjyrën duke përdorur energjinë elektrike.
Megjithatë, sipas rregulloreve të tanishme në SHBA, pronarëve të makinave u kërkohet të informojnë Departamentin e Automjeteve Motorike (DMV) dhe ofruesin e tyre të sigurimit nëse ndryshojnë ngjyrën mbizotëruese të automjetit të tyre. Po kështu në Britani, shoferët duhet të informojnë Agjencinë e Licencimit të Drejtuesve dhe Automjeteve (DVLA) dhe siguruesin e tyre.
Nuk është ende e qartë se si do të zbatohet kjo kornizë për makinat që mund të ndryshojnë menjëherë ngjyrën e tyre me një komandë të thjeshtë zanore.