Qeveria franceze po shqyrton ndihmën e mëtejshme për fermerët e vendit, tha të dielën kryeministri Gabriel Attal, pasi protestat e tyre mbarëkombëtare për të kërkuar paga më të mira dhe kushte jetese nuk treguan asnjë shenjë zbutjeje.
Fermerët në Francë, prodhuesi më i madh bujqësor i Bashkimit Evropian, ankohen se përballen me konkurrencë të pandershme nga rivalët në vende të tjera. Për të nxitur kauzën, ata kanë vendosur postblloqe në rrugët kryesore gjatë javës së fundit.
“Ne do shikojmë çdo masë tjetër që mund të marrim në lidhje me ato aspekte të konkurrencës së pandershme,” u tha Attal gazetarëve.
Të premten, qeveria hoqi planet për të zvogëluar dalëngadalë subvencionet shtetërore për naftën bujqësore dhe njoftoi hapa të tjerë për të pakësuar presionet financiare dhe administrative me të cilat përballen fermerët.
Fermerët, megjithatë, kërkojnë më shumë.
FNSEA, sindikata më e madhe e fermerëve në Francë, ka thënë se do vijojë protestat dhe sindikatat e tjera kanë kërcënuar me bllokime rrugësh rreth Parisit dhe tregut të ushqimit Rungis pranë kryeqytetit.
Fermerët në vende të tjera evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Poloninë, kanë organizuar gjithashtu protesta, duke thënë se Bashkimi Evropian nuk po bën mjaftueshëm për t’i mbrojtur ata nga prodhimi më i lirë diku tjetër.