Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) tha se ka zbuluar një skemë masive korrupsioni në blerjen e armëve nga ushtria e vendit që arrin në rreth 40 milionë dollarë. SBU-ja tha se përvetësimi përfshinte blerjen e 100,000 predha mortajash për Forcat e Armatosura të Ukrainës në vjeshtën e vitit 2022.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ia pagoi pothuajse të gjithë shumën furnizuesit të armëve Lviv Arsenal, por SBU-ja tha se municioni nuk u mor kurrë. Në vend të kësaj, ai tha se disa nga fondet ishin transferuar në llogari të huaja, duke përfshirë disa në Ballkan. Hetimi zbuloi se ish-zyrtarë dhe zyrtarë të rangut të lartë të mbrojtjes, kreu dhe shefi i reklamës së Lviv Arsenal, dhe një përfaqësues i një grupi të huaj tregtar ishin të përfshirë në mashtrim.
Zbulimi i një skeme korrupsioni masiv do ketë pasoja për Ukrainën, ndërkohë që ajo vijon t’i rezistojë pushtimit të pandërprerë të Rusisë dhe kërkon të integrohet në Bashkimin Evropian. Ky i fundit e ka përcaktuar luftën kundër korrupsionit një parakusht për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës.
Yurii Zbitnev, kreu i Lviv Arsenal, tha për mediat vendase se personi përgjegjës për kontratën e municioneve është shkarkuar dhe se kompania po punon me Ministrinë e Mbrojtjes për t’i kthyer fondet shtetit në mënyrë që ato të “përdoren për qëllime më të përshtatshme”.
SBU-ja tha se pesë persona janë paditur dhe se njëri prej tyre, një ish-zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes, u arrestua ndërsa po përpiqej të kalonte kufirin ukrainas. Ai tha se autoritetet po punonin për të arrestuar të dyshuar të tjerë dhe se të akuzuarit mund të përballen me 12 vjet burg.
“Ministria e Mbrojtjes vijon të luftojë pa kompromis kundër atyre që përvetësojnë nga prokurimi i armëve. Nuk kemi vend për zyrtarë të korruptuar.” – tha zëvendësministri i Mbrojtjes Dmytro Klymenkov në një deklaratë të shtunën.
Ukraina është përfshirë nga skandale korrupsioni që përfshijnë Ministrinë e saj të Mbrojtjes në vitet e fundit.
Në dhjetor, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes ukrainase u arrestua mbi akuzat se kishte përvetësuar 1.5 miliardë hryvnia (40 milionë dollarë) në një rast të veçantë që përfshin një kontratë predhash artilerie.
Raportet erdhën vetëm disa muaj pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkarkoi të gjithë zyrtarët përgjegjës për qendrat rajonale të rekrutimit ushtarak. Në shtator, Zelensky shkarkoi gjithashtu ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes Oleksii Reznikov, duke përmendur nevojën për “qasje të reja” mes skandaleve të vazhdueshme.
CNN raportoi në dhjetor se Zelensky po përballej me presion në rritje nga Shtetet e Bashkuara për të bërë më shumë për të luftuar korrupsionin qeveritar në Ukrainë. Zyrtarët thanë se Uashingtoni kishte lëshuar disa njoftime për Kievin se disa lloje të ndihmës ekonomike do lidheshin me përparimin e Ukrainës në reformimin e institucioneve të saj.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN