Për herë të parë, që prej kohës kur opozita ka nisur skenarin e bllokimit të seancave plenare, Partia Socialiste kërkon përjashtimin e 19 deputetëve të grupit Berisha-Bardhi. Kërkesa e mazhorancës vjen pasi deputetët bllokuan seancën plenare të së enjtes, si edhe punimet e komisionit të Reformës Zgjedhore, që më pas u mblodh online.
Pritet mbledhja e Sekretariatit të Etikës për të vlerësuar kërkesën e PS dhe vendosjen e masave ndëshkimore. Socialistët thonë se deputetët e opozitës që në nisje të seancës plenare të 25 janarit zaptuan foltoren, ndërsa mbanin edhe pankarta në duar, duke mos lejuar vijim normal të saj.
Deputeti Ervin Salianji ka vendosur pajisje zhurmuese në sallë, që sipas socialistëve bllokoi punimet e Kuvendit, duke vijuar me këtë skenar pavarësisht thirrjes së kryeparlamentares Lindita Nikolla për të vijuar normalisht seancën.
“Deputetë të opozitës vendosen pajisje zhurmuese në sallë, përkatësisht deputeti Ervin Salianji mbante në dorë një pajisje zhurmuese, gjë e cila nuk lejoi që Kryetarja e Kuvendit të vijonte normalisht me rendin e ditës. Edhe pse u kërkoi deputetëve të uleshin dhe të vijonin normalisht zhvillimin e seancës sipas agjendës, ato vijuan të mbanin të bllokuar foltoren”, thuhet në kërkesën e firmosur nga deputetët socialistë.
Përjashtimi kërkohet edhe për bllokimin e punimeve të Komisionit të Reformës Zgjedhore më 26 janar, ku deputetët e grupit Berisha-Bardhi ishin ulur në karriget e anëtarëve socialistë për të mos lejuar mbajtjen e mbledhjes, çka detyroi që pas 2 vitesh ndërprerje, Zgjedhorja të niste punën vetëm përmes një mbledhje online.
“Skenarët pengues të veprimtarisë parlamentare nga deputetët e opozitës vijuan edhe në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore të datës 26.01.2024, ata bllokuan sallën ku do të zhvillohej mbledhja duke mos lejuar deputetët e mazhorancës të uleshin në vendet e tyre.
Deputetet Albana Vokshi dhe Lindita Metaliaj zunë vendin e dy bashkëkryetarëve si dhe i’u drejtuan me tone të larta deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Kjo situatë e krijuar e bllokimit të sallës nga deputetët e opozitës detyroj që mbledhja të mos zhvillohej fizikisht”, thuhet në kërkesë.
EMRAT E DEPUTETËVE PËR TË CILËT PS KËRKON PËRJASHTIMIN
Albana Vokshi
Sorina Koti
Elda Hoti
Lindita Metaliaj
Isuf Cela
Tritan Shehu
Lefter Geshtenja
Helidon Bushati
Xhelal Mziu
Edmond Spaho
Oerd Bylykhashi
Ervin Salianji
Saimir Korreshi
Kasem Mahmutaj
Ramadan Likaj
Kastriot Piroli
Qani Xhafa
Lodovik Hasani
Luan Baçi