Nga Lutfi Dervishi
Gjykata, ndryshe nga sa kërkoi mbrojtja, vendosi sot që i riu 35 vjeçar që kishte mbyllur në shtëpi nën survejim bashkëshorten, fëmijën dhe nënën, të qëndrojë në qeli.
Rasti në fjalë është veçanërisht alarmant, jo aq për vëmendjen mediatike sesa për të “pa mendueshmen”: vendosjen e kamerave në tualet dhe instalimin e pajisjeve kundra valëve në shtëpi!
Veprimet e 35 vjeçarit që cënojnë rëndë lirinë dhe privacinë e familjarëve janë sinjal i qartë i një problemi të shëndetit mendor.
Për shkak të një stigme ende të pranishme, problemet e shëndetit mendor janë të neglizhuara. Nëse, sot, nuk kemi problem (dhe kemi mjekë mjaft të mirë) për zemrën, stomakun apo çdo organ tjetër, kur vjen puna te truri- ka një deficit të krijuar në dekada si në të kuptuarit të sëmundjes ashtu edhe në trajtimin e saj.
Fshehja dhe mos adresimi i shqetësimeve, spektakolarizimi i rasteve publike nga media bëhen në kurriz të adresimit dhe kurimit të çrregullimeve psikike.
Në vend që rasti në fjalë (dhe jo vetëm) të trajtohet me ndjeshmëri dhe me fokus te shëndeti mendor, në vend që prioritet të merrte kujdesi psikiatrik gjykata i ra shkurt dhe veprimet e 35 vjeçarit i trajtoi si vepër penale!
Megjithë 30 vitet në një tranzicion shpesh traumatik, ende nuk ka një ndryshim rrënjësor në qasjen ndaj çështjeve të shëndetit mendor. Stigma ndaj kësaj sëmundje shfaqet në mënyra të ndryshme, që nga mungesa e të kuptuarit deri te paragjykimet që i pengojnë dhe familjarët të kërkojnë ndihmën e nevojshme.
Ankthi dhe depresioni shpesh kalojnë ose “me aspirinë”, ose mbeten të pazbuluar e të patrajtuar për shkak të stigmës, të mungesës së vetëdijes dhe burimeve të kufizuara mjekësore.
Rasti i 35-vjeçarit, ndonëse ekstrem, dhe “spektakolar” hedh dritë mbi rëndësinë e hapjes së debatit për problemet e shëndetit mendor.
Njerëzit me probleme të shendetit mendor janë mes nesh, jemi ne, por sot është fakt se kush ka nevojë ose nuk ka akses ose nuk merr në kohë dhe si duhet trajtimin e duhur.
Përtej adresimit të rasteve ulëritëse, është urgjent ndërtimi i një sistemi që jo vetëm i përgjigjet krizave, por që trajton në mënyrë proaktive spektrin më të gjerë të çështjeve të shëndetit mendor, duke përfshirë ankthin dhe depresionin.
Lufta ndaj miteve dhe stigmës, nuk është e lehtë, nuk është i lehtë kurimi i sëmundjeve që lidhen me shëndetin mendor, por nevoja për të ndryshuar qasje, për të investuar dhe për të ndërhyrë është evidente. Jo vetëm për shkak të rastit të 35 vjeçarit, por sepse njerëzit me probleme të shëndetit mendor po i shohim në rrugë, në studio televizive dhe kudo.
Sa më shpejt të ndërhyhet për kurim dhe parandalim aq më të pakta do t’i kemi dramat dhe vendimet shumë të diskutueshme si ky i sotmi i gjykatës kur në vend që të dërgohet për trajtim në spital, individi dërgohet në qeli.