Vendosni fjalën kyçe....

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurorit të Tiranës Arben Agovi


Komisioneri Publik i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin nga detyra të Arben Agovit prokuror në Prokurorinë e Tiranës për të cilin Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori vendim për konfirmimin në detyrë.

Në ankimimin që mban datën 29 janar 2024 Komisioneri Publik, Irena Nino kërkon shkarkimin e tij për aspektin e profesionalizmit që e argumenton është në nivel minimal.

Arben Agovi nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001 dhe ka punuar deri në vitin 2007 në Prokurorinë e Mirditës. Më pas, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Lezhës dhe në dhjetor 2020 u transferua në Prokurorinë e Tiranës përmes një vendimi të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në KPK ishin protokolluar 15 denoncime nga publiku për punën e prokurorit Agovi në këto prokurori, dhe I është kërkuar shpjegime për 7 prej tyre. Komisioneri Publik ka analizuar vendimin e KPK por dhe denoncimet dhe ka rezultuar se Agovi ka mangësi profesionale.

“Gjetjet në vlerësimin e kriterit profesional reflektojnë mangësi profesionale, të tilla që nuk mund të plotësohen nëpërmjet programit të trajnimit; si moskryerja e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme, mënyra jokorrekte e vlerësimit të fakteve dhe provave, argumentimi jo i plotë dhe jo në përputhje me dispozitat ligjore” thuhet në ankimimin e komisionerit publik.

Komisioneri Publik konstaton se nga shqyrtimi i vendimit nr. 724/2023, të Komisionit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që vijnë në kundërshtim me vlerat themelore dhe standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes, të vendosura në themel të mbrojtjes dhe forcimit të besimit të publikut, me ligjin nr. 96/2016, dhe përbëjnë shkak për vlerësimin tërësor të procedurave.

Një tjetër provë e parashtruar nga Komisioneri Publikë është dhe denoncimi anomin ku ngrihet pretendimi se Agovi është i korruptuar, pasi çdo vërtetim në Prokurorinë Lezhë e ka lëshuar kundrejt korrupsionit, ashtu siç ka mbyllur dhe shumë dosje.

Për këtë, denoncuesi ka dhënë dhe link, dhe tekstin e publikuar nga një emision televiziv ku përmendet se prokurori Agovi ka përfituar në mënyrë korruptive shumën prej 500 euro.

Komisioni, në rezultatet e hetimit, ka arsyetuar se çështjet e pretenduara janë në kuadrin e hetimit penal dhe nuk ka indicie për të vlerësuar ndonjë çështje të ndjekur nga subjekti e për rrjedhojë ka vendosur të mos vijojë hetimin administrativ për këtë denoncim, por sipas Irena Ninos, Komisioni duhej t’i kërkonte shpjegime subjektit”, thuhet në njoftim.

Për të lexuar dokumentin e plotë të Komisionerit Publik lexo këtu